E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Hita: Policia të jetë më pranë qytetarëve, uniforma të përfaqësohet me dinjitet

Ilustrim · Vizion Plus

Forcimi i komunikimit me qytetarët, rritja e pranisë së Policisë në terren dhe mënyra e përfaqësimit të uniformës kanë qenë në fokus të takimit të zhvilluar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Korçës.

Gjatë takimit, Skënder Hitaj u ka përcjellë drejtuesve dhe strukturave vendore te Korçes disa porosi për përmirësimin e punës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj komunitetit.

Një nga kërkesat kryesore ka qenë që Policia të jetë më e aksesueshme dhe më pranë qytetarëve. Për këtë arsye, është kërkuar që komunikimi me komunitetin të jetë i drejtpërdrejtë dhe i vazhdueshëm, duke nisur nga drejtuesit e komisariateve deri te drejtori i Policisë së Qarkut, në mënyrë që problematikat e ngritura nga qytetarët të marrin përgjigje dhe zgjidhje në kohë.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sjelljes së punonjësve të Policisë gjatë kontaktit me qytetarët. Uniforma duhet të përfaqësohet me korrektësi, dinjitet dhe profesionalizëm. Efektivi i Policisë, përveç zbatimit të ligjit, duhet të jetë edhe një person që orienton, ndihmon dhe garanton sigurinë e qytetarëve.

Në takimin e zhvilluar është kërkuar gjithashtu rritja e pranisë policore në terren dhe përmirësimi i performancës së strukturave vendore. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në shkolla, përmes masave parandaluese dhe pranisë më të dukshme të Policisë pranë nxënësve dhe ambienteve shkollore.

Sa i përket kontrolleve në biznese, porosia ka qenë që ato të jenë të planifikuara dhe të koordinuara. Drejtori i Qarkut duhet të ketë dijeni për planin e masave dhe mënyrën e zhvillimit të kontrolleve, duke shmangur veprimet e pakordinuara të strukturave.

Porosi të qarta janë dhënë edhe për Policinë Rrugore. Efektivët duhet të jenë të dukshëm në rrugë dhe prania e tyre të shërbejë mbi të gjitha për parandalimin e shkeljeve. Kontrollet duhet të shoqërohen me një qasje korrekte dhe ndihmuese ndaj drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve, dhe jo vetëm me ndëshkimin e shkelësve.

Mesazhi i përcjellë në takim me policine e Korçes ka qenë i qartë: një Polici më e hapur, më e komunikueshme dhe më pranë komunitetit, ku mënyra e sjelljes dhe përfaqësimit të uniformës të jetë po aq e rëndësishme sa edhe zbatimi i ligjit.

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh