Situata e zjarreve 24 orët e fundit: 13 vatra ende aktive, 8 janë nën mbikëqyrje

9 Shtator 2026 | 10:19

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar informacionin mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit nga ora 09:00 e datës 8 shtator deri në orën 09:00 të datës 9 shtator 2026.

Sipas informacionit, janë raportuar në total 43 vatra zjarri, prej të cilave 13 mbeten aktive, 8 janë nën mbikëqyrje dhe 22 janë shuar.

Ministria e Mbrojtjes thekson se në operacione janë angazhuar 697 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 68 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 314 efektivë, 8 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 29 mjete, 5 autoambulanca dhe 1 dron. Janë realizuar gjithashtu 4 operacione me helikopterë.

Në njoftim thuhet se për ditën e sotme parashikohet vijimi i angazhimit të rreth 252 forcave ushtarake, 28 automjeteve, 2 autoambulancave dhe 1 droni.

QARKU TIRANË: Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në pyll ahu dhe shkurre, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së djeshme u angazhuan 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së, 55 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter; sot operacionit i shtohen rreth 50 forca ushtarake. Vatrat në Kryezi, Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë nën mbikëqyrje.

QARKU DIBËR: Mbeten aktive vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh operacioni është mbështetur edhe nga FA dhe sot do të angazhohen rreth 30 forca ushtarake. Për vatrat aktive të raportuara nuk ka rrezik për zonat e banuara.

QARKU LEZHË: Vatra në Gallatë të Kurbinit vijon aktive në një terren të vështirë, por pa rrezik për banesat. Më i konsiderueshëm është angazhimi në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku dje operuan rreth 100 forca vendore e vullnetare, 124 efektivë të FA-së, 16 mjete, 2 ambulanca dhe 1 helikopter. Sot do të vijojnë operacionet edhe me rreth 50 forca ushtarake. Aktualisht nuk raportohen zona të banuara në rrezik.

QARKU SHKODËR: Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz mbahet nën mbikëqyrje. Aktive mbeten Mnelë e Vogël, Bardhaj–Myselim dhe Mali i Tërbunit. Në Mnelë e Vogël janë raportuar 2 banesa në rrezik, të cilat po mbrohen nga forcat zjarrfikëse; dje operacioni u mbështet edhe nga 27 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot dhe 1 helikopter. Në Bardhaj–Myselim dhe Tërbun nuk ka rrezik për zonat e banuara. Sot FA do të vijojë mbështetjen me rreth 80 efektivë gjithsej në këto tri vatra.

QARQET ELBASAN, VLORË DHE FIER: Në Elbasan vijon aktive vatra në Gurëshpatë të Librazhdit, pa rrezik për banesat, ndërsa Mali i Qukësit është nën mbikëqyrje. Në Vlorë, zjarri në Qesarat–Mali i Malinës, Finiq, mbetet aktiv dhe është ndërhyrë edhe me 1 helikopter, pa rrezik për zonat e banuara. Në Fier, Peshtani mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa vatra në Çërrilë të Mallakastrës është aktive dhe sot do të mbështetet me rreth 30 forca ushtarake.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Skënder Hitaj në Korçë: Policia të jetë më pranë qytetarëve, uniforma të përfaqësohet denjësisht

Komunikimi me qytetarët dhe mënyra se si Policia përfaqëson uniformën kanë qenë në fokus të takimit të zhvilluar sot në Drejtorinë Vendore të Policisë së...
10:04 | 09/09/2026

“Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit” – Drejtori i Zjarrfikëses jep detaje nga ngjarja te ‘Brryli’

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj tha në një deklaratë për mediat se zjarri në pikën e karburantit në zonën e Brrylit ka ndodhur...
09:48 | 09/09/2026

Vodhën para dhe mallra të ndryshme në dy biznese, kapet 18-vjeçari në Korçë

Komisariati i Policisë Korçë ka finalizuar një operacion për dokumentimin dhe zbardhjen e dy rasteve të vjedhjes së ndodhura në qytet. Në pranga ka rënë...
09:21 | 09/09/2026