E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Ministria e Mbrojtjes: 43 vatra zjarri në 24 orë, 13 vijojnë aktive! Cilat janë qarqet më problematike në vend

Ilustrim · Vizion Plus

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 43 vatra zjarri, ndërsa 13 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 8 vatra janë aktualisht nën mbikëqyrje, ndërsa 22 janë shuar.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 697 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 68 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 314 efektivë, 8 automjete zjarrfikëse, një autobot, 29 mjete, 5 autoambulanca dhe një dron. Gjatë 24 orëve janë realizuar edhe 4 operacione me helikopterë.

Për ditën e sotme pritet të vijojë angazhimi i rreth 252 forcave ushtarake, 28 automjeteve, 2 autoambulancave dhe një droni.

Në qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit vijon të jetë aktiv në pyllin e ahut dhe në shkurre, por aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, të ADZM-së dhe të Forcave të Armatosura, ndërsa sot operacionit do t’i shtohen rreth 50 forca ushtarake. Vatrat në Kryezi, Malin e Bërzhitës dhe Malin me Gropa janë nën mbikëqyrje.

Situatë aktive paraqitet edhe në qarkun Dibër, ku vijojnë zjarret në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Sipas autoriteteve, për këto vatra nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Lezhë, vatra në Gallatë të Kurbinit vijon aktive në një terren të vështirë, por pa rrezikuar banesat. Operacioni më i gjerë po zhvillohet në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë angazhuar dhjetëra forca vendore, efektivë të FA-së dhe mjete të shumta, ndërsa sot pritet mbështetja e rreth 50 forcave ushtarake.

Në qarkun Shkodër, aktive mbeten vatrat në Mnelë të Vogël, Bardhaj–Myselim dhe Malin e Tërbunit. Në Mnelë të Vogël janë raportuar dy banesa në rrezik, të cilat po mbrohen nga forcat zjarrfikëse. Në dy vatrat e tjera nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Forcat e Armatosura do të vijojnë sot mbështetjen me rreth 80 efektivë.

Ndërkohë, në Elbasan vijon aktive vatra në Gurëshpatë të Librazhdit, ndërsa Mali i Qukësit është nën mbikëqyrje. Në Vlorë, zjarri në Qesarat–Mali i Malinës, në Finiq, mbetet aktiv dhe është ndërhyrë edhe me helikopter. Në Fier, Peshtani është nën mbikëqyrje, ndërsa vatra në Çërrilë të Mallakastrës vijon aktive dhe sot do të mbështetet me rreth 30 forca ushtarake.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Autoritetet bëjnë me dije se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh