Instituti Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) ka reaguar lidhur me shpërthimin e ndodhur në një pikë shitjeje me pakicë të karburanteve në zonën e Brrylit, në Tiranë.
ISHTI bën me dije se dyshimet paraprake janë se zjarri ka nisur nga një automjet që ndodhej brenda territorit të stacionit të karburanteve.
Sipas institutit, zjarri është shoqëruar më pas edhe me një shpërthim.
Instituti thekson se bëhet fjalë për një vlerësim paraprak, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e plotë të ngjarjes.
“Nga vlerësimi paraprak i grupit të inspektimit të ISHTI në stacionin e shitjes me pakicë të karburanteve Skënderi G shpk me vendndodhje tek Brryli, Tiranë rezulton se: Nuk ka patur shpërthim të rezervuarve të karburanteve. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet me territorin e stacionit të karburantëve që është shoqëruar dhe me eksplosion.”, njofton ISHTI.
Nga shpërthimi mbetën të plagosur tre punonjës të karburantit, Vlerim Hakballa, 22-vjeç, Rozart Abazi, 30-vjeç dhe Aurel Xhanaj,të cilët janë dërguar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Zjarri ka përfshirë karburantin, duke shkaktuar panik te banorët e zonës dhe më pas ka shkrumbuar totalisht objektin si dhe godinën një katëshe pranë tij.











