Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve: Sulmi ndaj Luarasit, e gjej nëpër dosjet e komunizmit, po ushqejmë të njëjtën kulturë me mjete të reja

Shkruar nga Newsbomb
Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve: Sulmi ndaj Luarasit, e gjej
Ilustrim: Gentiana Sula dhe momenti i sulmit ndaj deputetes Luarasi

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula reagoi sot ndaj videos së një dite më parë ku disa vajza arrogante ndaluan dhe agresonin me një fjalor fyes e poshtërues deputeten e PS Iris Luarasi ndërsa ajo i ishte drejtuar kuvendit, brenda një qendre tregtare.

Linçimi publik, bërja e videos dhe më pas hedhja e videos për përhapje masive në rrjetet sociale, është kthyer në një mjet nga disa protestues për të poshtëruar deputetët.

Për Gentiana Sulën, një veprim i tillë i një "drejtësie popullore” nuk është një gjë e re në Shqipëri, e gjen kudo në dosjet e komunizmit për të poshtëruar intelektualët e ata që mendonin ndryshe nga regjimi. Thjesht sot, po përdoren mjete të tjera, shkruan Sula në shënimin e saj në Facebook.

“Liria e shprehjes e humbet kuptimin kur shndërrohet në një të drejtë për të poshtëruar, shoqëria e lirë është e papajtueshme me kulturën e poshtërimit” shkruan Sula.

Postimi i plotë:

Ka diçka thellësisht të njohur në sulmet publike, fyerjet dhe talljet që po shohim sot. Ato sjellin jehonën e një kulture që menduam se e kishim lënë pas: kulturën e turpërimit publik, ku njeriu nuk kundërshtohej me argument, por poshtërohej për t'u nënshtruar.

Sulmi ndaj Iris Luarasit më kujtoi pikërisht këtë trashëgimi të errët. Në komunizëm, "drejtësia popullore" shpesh nuk kërkonte të vërtetën. Ajo kërkonte turmën, duartrokitjen, stigmen dhe frikën. Sot, sa herë që debati zëvendësohet nga linçimi moral, ne rrezikojmë të ushqejmë të njëjtën kulturë, me mjete të reja.

Nuk ka rëndësi nëse jemi dakord apo jo me një person publik. Dinjiteti njerëzor nuk mund të jetë subjekt votimi. Dhe liria e shprehjes humbet kuptimin e saj kur shndërrohet në të drejtë për të poshtëruar.

Unë besoj se shoqëria e lirë është e papajtueshme me kulturën e poshtërimit. Shqipëria ka nevojë për më shumë mendim, më shumë ndjeshmëri dhe më shumë respekt. Sepse demokracia nuk fillon te fitorja ndaj tjetrit. Fillon te dinjiteti i tij

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese