Katër persona janë shoqëruar nga policia në kuadër të hetimeve për shpërthimin e fuqishëm në karburant “EiDA” i cili tronditi mëngjeisn e sotëm zonën e Brrylit dhe la të plagosur tre persona. Më konkretisht raportohet se bëhet fajlë për drejtuesin e automjetit që po furnizohej me gaz në momentin e shpërthimit, menaxherin, administratorin dhe drejtuesin teknik të pikës.
Ata janë shoqëruar për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisve për ngjarjen. Tre të plagosurit kujtojmë se janë transportuar në Spitalin Universitar të Traumës dhe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndodhen në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Kujtojmë se në minutat e para pas shpërthimit u tha se dyshohej se bëhej fjalë për një sasi tritoli. Megjithatë këto mbeten vetëm dyshime të ngritura në momentet e para të ngjarjes dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
Policia ka dhënë versionin paraprak të ngjarjes, duke deklaruar se dyshohet për shpërthimin e një bombule gazi gjatë kohës që një automjet po furnizohej me karburant. Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, ka dhënë një tjetër panoramë mbi vendin e ngjarjes, duke thënë se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit dhe se nuk përjashtohet as mundësia që një automjet të ketë goditur objektin.
