Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Albulena Haxhiu rizgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës: Faleminderit për besimin!

Shkruar nga Newsbomb
Albulena Haxhiu rizgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës:
Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu do të vijojë të jetë në krye të Kuvendit të Kosovës, pasi është zgjedhur kryetare me 62 vota pro. Vendimi u mor mesditën e kësaj të mërkure, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku 62 deputetë të pranishëm votuan në favor të kandidaturës së Haxhiut.

Kandidatura e saj u propozua nga Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili kërkoi mbështetjen e deputetëve për Haxhiun në drejtimin e institucionit ligjvënës të vendit.

Pas shpalljes së rezultatit, Albulena Haxhiu, e cila ushtron dhe postin e presidentes në detyrë,  falënderoi deputetët për mbështetjen e dhënë dhe për besimin për të vijuar punën në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë për të qenë në krye të Kuvendit të Kosovës”, u shpreh Haxhiu në fjalën e saj të shkurtër.

Me 62 vota pro, Haxhiu merr kështu drejtimin e Kuvendit të Kosovës, duke vijuar të jetë në krye të një prej institucioneve kryesore të vendit.

Kush është Albulena Haxhiu: 

Albulena Haxhiu është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), teksa u rizgjodh sqrish këtë të mërkurë në postin e Kryetares së Kuvendit. Me t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhiu është zgjedhur deputete e legjislaturës së katërt të Kuvendit të Kosovës në periudhën 2011- 2014.

Ajo ka qenë deputete shtatë herë radhazi, derisa në katër legjislaturat e fundit është emëruar në pozita tjera, ministre, nënkryetare e Kuvendit, kryetare e Kuvendit si dhe presidente në detyrë.

Si deputete, ajo e ka udhëhequr për dy mandate Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Më 2020, Haxhiu është emëruar ministre e Drejtësisë, dhe është riemëruar në atë pozitë edhe në Qeverinë e radhës të formuar më 2021.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025, ajo ishte gruaja më e votuar, në procesin e parë zgjedhor i fitoi mbi 125 mijë vota, në të dytin mbi 174 mijë sosh.

Nga protestat në rrugë deri te Presidenca

Sa ka qenë në opozitë, Haxhiu është parë pothuajse gjithmonë në ballë të protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka është arrestuar disa herë.

Më 2018, pas një procesi disavjeçar, Haxhiu është dënuar me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë për hedhje të gazit lotsjellës e pengim të personit zyrtar, veprime të cilët ajo dhe deputetë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje i ndërmorën për ta penguar ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ajo u përfshi në tensione edhe në korrik të vitit 2023 sa ishte ministre e Drejtësisë.

Përgjatë një seance të Kuvendit, Haxhiu përplas fizikisht me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakun, i cili gjuajti me ujë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa po fliste në foltore.

Më herët gjatë vitit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar një aktakuzë ndaj Haxhiut, dhe disa ish-deputetëve tjerë, të cilët akuzoheshin për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016, duke i dhënë fund një procesi të gjatë gjyqësor.

Kryetarja e Kuvendit është e lindur më 11 maj 1987 në Prishtinë.

Studimet i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në Universitetin e Evropës Juglindore, në drejtimin e të drejtës penale.

Haxhiu është e martuar me ish-anëtarin e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqin, dhe i ka tre fëmijë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese