Detaje të reja kanë dalë në dritë nga seanca me dyer të mbyllura e cila la në arrest shtëpie këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij Kristjan Nikolli. Të cilët akuzohen për dhunën ndaj ish-banorit të BBVK Eduard Kuçi në afërsi të mbikalimit të Rinasit në Tiranë.
Në dëshminë e dhënë Jozefin Marku është mbrojtur duke thënë se ka vepruar në gjaknxehtësi pasi Kuçi i kishte “sharë familjen”.
“Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen. E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, është shprehur Jozi sipas Top Channel.
Ndërsa shoferi i tij Kristjan Nikolli është shprehur se nuk ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, ndërsa sa i përket municionit që i është gjetur në banesë tha se ishte i ndryshkur dhe i papërdorshëm.
“Unë atë natë që ka ndodhur ngjarja kam qenë në një dasëm, nuk kam qenë prezent në vendngjarje. Unë Jozin e kam mik, këtë e dinë të gjithë. Fishekët që keni gjetur në shtëpinë time ishin të ndryshkur, nuk e di përse ishin aty”, ka dëshmuar ai.

