E hënë, 14 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 05:11 Në vijim ora 05:11: Hakmarrja e Trëndafilit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Nis investimi 85 milionë euro për ujërat e ndotura në Durrës, Karakaçi: Projekti më i rëndësishëm për qytetin

Ilustrim · Vizion Plus

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi ka bërë me dije se kanë nisur punimet për një nga projektet më të rëndësishme në Durrës që synon modernizimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Investimi, me mbështetje të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian, parashikon zgjerimin e impiantit, rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimin e infrastrukturës së re në disa zona të qytetit.

“Nisim sot në Durrës punimet për një nga investimet më të rëndësishme për qytetin dhe për transformimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Një projekt i mbështetur me grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri, janë rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ku së bashku me financimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim do të mundësojnë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në Durrës.

Kjo është dëshmi e qartë e përftimeve nga hyrja në Bashkimin Evropian dhe këto financime do vijnë duke u zgjeruar çdo vit që ne afrohemi drejt Bashkimit Europian. Por kjo është vetëm faza e parë. Faza e dytë e projektit parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romanos, Spitallë, ku përsëri mbështetemi nga Bashkimi Evropian, i cili financon përmes grantit rreth 2/3 e vlerës së investimit.

Në total, projekti parashikon rreth 113 kilometër rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh. Përgjatë tre viteve të ardhshme 2027–2030, kemi gati financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të ndotur me vlerë 330 milionë euro.

Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura”, shprehet Karakaçi. 

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh