Karetsas i ka tronditur të gjithë te Dortmundi, priten me ankth rezultatet e analizave

Karetsas i ka tronditur të gjithë te Dortmundi, priten me ankth rezultatet e analizave

11:13, 09/09/2026

Fitorja 3-2 e Borussia Dortmundit ndaj Villarrealit në ndeshjen e parë të Champions League u shoqërua me momente të forta ankthi për gjendjen e Konstantinos Karetsas.

Talenti grek, i lindur në vitin 2007, u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 23-të, pasi pësoi një shqetësim të papritur. Gjithçka ndodhi gjatë një kundërsulmi të Dortmundit. Karetsas pasoi topin tek Julian Ryerson, por menjëherë ngriti dorën për të sinjalizuar se nuk ishte mirë. Pak çaste më vonë, ai u ul në fushë dhe mbuloi fytyrën me duar.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe, pas disa minutash, futbollisti u largua me barelë nga fusha. Më pas ai u dërgua në spital për kontrolle të mëtejshme.

Borussia Dortmundi bëri të ditur se Karetsas kishte shfaqur probleme me qarkullimin e gjakut, duke dhënë edhe një mesazh qetësues për gjendjen e tij.

“Kosta është relativisht mirë dhe ndodhet në spital për kontrolle të mëtejshme”, njoftoi klubi gjerman.

Drejtori i përgjithshëm i Dortmundit, Lars Ricken, tregoi ankthin e përjetuar në ato momente.

“Gjithçka ndodhi papritur. Në fillim mendova se mund të ishte një problem muskulor, por më pas pashë se nuk po prekte kofshën dhe u largua me barelë. Në ato momente, natyrisht, mbetesh pak i tronditur”, deklaroi Ricken.

Image

Edhe drejtori sportiv Ole Book pranoi se klubi ende nuk ka shumë informacion për situatën.

“Ende nuk dimë shumë. U zëvendësua për shkak të problemeve me qarkullimin e gjakut. Ndodhi papritur. U ul dhe u dërgua në spital për ekzaminime të mëtejshme. Tani po presim”, tha ai.

Ricken theksoi se shëndeti i Karetsasit është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.

“Shpresojmë që të përmirësohet shpejt dhe të mos jetë asgjë serioze. Gjëja më e rëndësishme është shëndeti i tij. Të gjithë ishim të shqetësuar, sepse është një djalë që i sjell shumë cilësi skuadrës”, u shpreh drejtuesi i Dortmundit.

Kështu, pavarësisht fitores së rëndësishme në Champions League, Dortmundi tani pret me ankth rezultatet e kontrolleve mjekësore të Karetsasit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco