Dy ditë pasi kryeministri serb Duro Macut i propozoi shpërndarjen e qeverisë dhe kalimin në zgjedhjet e parakohshme, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç këtë të mërkurë ka caktuar datën në të cilën do të mbahet votimet.
Referuar mediave vendase, Vuçiç ka zgjedhur të dielën e 25 tetorit 2026 për zgjedhjet e parakohshme. Ky vendim i marrë nga kreu i shteti serb, hyn në fuqi ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Serbisë, pas së cilës nisin edhe aktivitetet zgjedhore.
"U uroj të gjithë qytetarëve të Serbisë shëndet të mirë, një fushatë demokratike, paqësore dhe të suksesshme. Rroftë Serbia!", tha Vuçiç në videon ku njoftoi datën e zgjedhjeve.
Po ashtu ai ka deklaruar se shpreson që me këto zgjedhje, t’i jepet fund krizës politike që ka përfshirë Serbinë, ku vendi ballkanas vitin e fundi është përballur me protesta të mëdha popullore.
Kujtojmë që kryeministri serb Duro Macut i propozoi të hënën presidentit Aleksandër Vuçiç shpërndarjen e qeverisë dhe kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Gjatë fjalës së tij, Macut tha se zgjedhjet nuk janë dobësi e shtetit, por sipas tij janë një provë e forcës së pathyeshme të një Serbie demokratike. Më tej ai deklaroi se zgjedhjet janë një mundësi për të forcuar institucionet, për të ulur tensionet, për të hedhur poshtë politikën e ekskluzivitetit dhe për të rikthyer luftën politike nga rrugët në institucione.
Po ashtu, referuar mediave vendase, Aleksandar Vuçiç pritet që të largohet nga detyra e Presidentit dhe pritet që të garojë për Kryeministër.
