Përmend Elbasanin sot dhe gjasat janë që imazhi i parë që të vjen në mendje lidhet me krimin, bandat dhe listat e gjata me pseudonime që policia publikon pas çdo operacioni, aq sa, parë së largu, të krijohet përshtypja se qyteti tashmë ka prodhuar një arstikoraci paralele krejt të vetën. Nëse jo krimi, atëherë me siguri ajo që të vjen në mendje janë mbetjet e kompleksit të dikurshëm metalurgjik, ndotja, djegës që nuk djegin dhe krijesa që lindin gjithmonë o me më tepër, ose me më pak gjymtyrë, por kurrë aq sa duhen për një jetë normale.
Disa ndoshta kujtojnë turbull një tjetër Elbasan, atë të librave të historisë së gjimnazit, me Kongresin e Elbasnit dhe Normalen, si tregues të rëndësisë që qyteti i ka dhënë dikur edukimit, por këto zakonisht mbijetojnë në mendjen tonë si fakte të izoluara dhe të mësuara përmendësh, jo si pjesë e historisë së gjallë të qytetit.
Në librin e tij “Bota e Todhrit. Elbasanasit që shkruanin ndryshe,” studiuesi Yll Rugova na kthen pas në atë çfarë Elbasani ka përfaqësuar dikur, ndonëse ngjarjet nisin gati një shekull para atyre me të cilat shumica nga ne kemi mësuar ta asociojmë Elbasanin me shkollën dhe arsimin. Në qendër të librit është figura e Theodhor Haxhifilipit, i njohur më gjerësisht si Dhaskal Todhri, një mësues nga shekulli i 18-të, i cili krijoi një alfabet origjinal për shkrimin e shqipes, nga i cili sot mbijetojnë rreth 800 faqe të shkruara me gërmat e tij.
Por, këtu nuk kemi të bëjmë si përherë me përpjekjen e radhës për të ‘rizbuluar’ një kontributor të historisë së gjuhës, të lënë në harresë. I shkruar në trajtën e një mikrohistorie, “Bota e Todhrit” ndjek gjurmët e shpërndara të jetës së Theodhor Haxhifilipit, nga fëmijëria deri në pleqëri, duke rindërtuar gradualisht gjithë mjedisin rreth tij, nga familja tek institucionet e kohës dhe jetën e qytetit rreth tij. Mikrohistoria mund të tingëllojë si reduktim në përmasa i historisë, por në fakt funksionon krejt ndryshe. Duke e ngushtuar kornizën e vëzhgimit tek një person i vetëm, mundësisht një figurë që nuk vjen nga shtresa udhëheqëse, mikrohistoria arrin ta sjellë botën rreth personazhit më të detajuar e më të populluar nga ç’mund ta sjellë fjala vjen, një biografi apo një monografi.
Siç shkruhet në libër, një nga gjurmët e para të shkruara ku shfaqet Todhri, është kur ai është ende fëmijë dhe i ati (Filipi) e regjistron në esnafin e argjendarëve të Elbasnit, që ai të marrë zanatin e familjes. Jemi në një kohë kur përfaqësues të komunitetit ortodoks të qytetit organizojnë një mbledhje për hapjen e një shkolle dhe i ati i Todhrit, që siç del në libër nuk shquhej për filantropi pavarësisht pozitës së mirë ekonomike të familjes, dhuron 6.000 aspra për hapjen e shkollës. Ndoshta sepse e konsideron vërtet të rëndësishme, ose ndoshta sepse i biri është në moshë për të filluar shkollën dhe nuk do që ta dërgojë diku tjetër. Ndërkaq, Jançe Hila (gjyshi i Todhrit) shfaqet si një figurë edhe më e zakonshme. Një tregtar, i cili punon në punishten e tij, paguan taksat dhe shkon në kishë, ndërsa “gjithçka tjetër ishte problem i Stambollit.”
Është një frazë që tingëllon tejet e afërt me botën në të cilën jetojnë shqiptarët sot. Jançe jeton nën Perandorinë Osmane dhe jetën publike e takon kryesisht përmes taksave dhe autoritetit të largët të një kryeqyteti të cilin nuk do mundet kurrë ta kontrollojë. Për rrjedhojë, përgjegjësitë e tij kufizohen tek punishtja, familja dhe kisha, ndërsa politika bëhet tjetërkund. Sot institucionet kanë ndryshuar, por jo qasja jonë emocionale ndaj tyre. Shumica e shqiptarëve vazhdojnë ta përjetojnë sot politikën si diçka që zhvillohet shumë larg tyre, edhe nëse distanca tashmë matet me kilometra dhe jo më me udhëtime që zgjasin disa muaj. Shqiptari sot punon, përkujdeset për familjen dhe ankohet privatisht tek miqtë dhe të afërmit, ndërsa çdo gjë tjetër është problem i Tiranës, Brukselit apo cilësdo zyrë të paaksesueshme që mund të duket se mban brenda vetes shtetin në një moment të caktuar.
Po ky nuk është elementi i vetëm që na e bën botën e Todhrit kaq të afërt me tonën. E tija është një botë e shenjuar nga epidemi të vazhdueshme murtaje dhe ndryshime klimatike, që lënë pas frikë dhe dëme të mëdha ekonomike. Megjithatë, siç citohet në libër edhe vërjetja në një letër e një udhëtari italian, ajo që bie në sy është shpejtësia me të cilën elbasanasit nisin festimet, menjëherë pasi rreziku duke se ka kaluar, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Deri pak kohë më parë, ndoshta do ta lexonim këtë si provë të fatalizmit apo të një familiariteti primitiv me vdekjen, por pasi kemi përjetuar vetë një pandemi globale, e gjitha tingëllon si një etje për të shpallur rikthimin e normalitetit, para se të kemi kuptuar se çfarë ka ndryshuar në botën tonë katastrofa me të cilën jemi përballur.
Por, nëse moderniteti na ka dhënë shpjegime më të sakta shkencore për epidemitë dhe katastrofat klimatike, nuk ka qenë fort i suksesshëm në ndryshimin e hierarkive sipas të cilave pasojat e tyre shpërndahen. Pas një epidemie të rëndë murtaje, të ndjekur nga një dimër katastrofik, shohim të se si të pasurit e botës së Todhrit përpiqen të dalin nga gjendja e vështirë duke ia transferuar kostot e katastrofës shtresave më të ulëta. Me hollësi të frikshme përshkruhet se si pushojnë nga puna shërbyesit që vinin nga shtresa më të varfra, teksa këta të fundit ziejnë lëvoret e pemëve bashkë me thjerrëzat, shkatërrojnë shtëpitë për të shitur lëndën e parë, e madje arrijnë deri aty sa në shumë raste detyrohen të shesin edhe fëmijët, të gjitha për të mbijetuar. Sot metodat janë natyrisht më të sofistikuara, por sërish shohim se si në raste krizash shoqëria ndahet menjëherë në ata që mund të blejnë përkohësisht njëfarë distance sigurie dhe ata të cilët goditen menjëherë dhe në mënyrë direkte prej tyre.
Vetë Todhri e ndërlikon edhe më tepër dallimin mes botës së vjetër të besëtytnive dhe një bote të re të arsyes që ka lindur në Europë dhe gradualisht po hyn edhe në botën në të cilën ai jeton. Thellësisht i përfshirë në jetën e kishës ortodokse dhe me gjasë konservator sa i përket besimit, ai krijon një alfabet origjinal për shkrimin e shqipes, i bindur se vetëm përmes shkrimit ai dhe bota rreth tij do pastrohen nga mëkatet. Një bindje që rezulton deri diku në një fat tragjik në fund të librit. Por, shekulli i 18-të është një periudhë ku një sërë klerikësh ortodoksë duket se po eksperimentonin me krijimin e një alfabeti për shkrimin e shqipes, të nxitur nga bindja se feja mund të përhapej më lehtësisht përmes gjuhës lokale, por edhe nga frika e përhapjes së islamit përmes konvertimeve, çka e bën të vështirë që ta shohim Todhrin ashtu siç jemi mësuar: një patriot i vetmuar, në luftë me kishën greke. Përkundrazi, duket se e vjetra dhe e rejja kanë bashkejtëuar brenda të njëjtit njeri, një ndërlikim që historitë e mëvonshme, qoftë të rilindjes dhe më pas të socializmit, janë prirur ta sheshojnë. Sipas historisë më familjare, Todhri u vra në vitin 1805, teksa kthehej në Elbsan me arkat me shkronjat e alfabetit të tij të derdhura në plumb, ose sepse shoqëruesit e tij dyshuan se brenda tyre mund të kishte diçka më të çmuar, ose nga njerëz të nxitur nga Patrikana e Kostandinopojës. Varianti i dytë, në fakt ka ofruar gjithë elementet e nevojshme për ngritjen e një miti kombëtar martirizimi, duke lënë mënjanë faktin se Todhri, sipas shënimeve të tij nëpër kodikë, ka jetuar të paktën deri në vitin 1818, kur del se kemi edhe shkrimin e fundit të tij, kur duhet të ketë qenë rreth të 90-ave.
Pas këtij viti, shkrimi i tij duket se nuk shfaqet më. Mund të ketë vdekur nga murtaja ose nga pleqëria, por vdekja e njeriut që besonte se bota mund të pastrohej nga mëkatet përmes shkrimit, tragjikisht ka mbetur e paregjistruar. Një fund i tillë – në moshë të shtyrë, i vetmuar, detyrohet t’i rikthehet punës si shkrues për shkak të vështirësive ekonomike – natyrisht që nuk i shërben mitologjisë kombëtare. Megjithatë, i jep Todhrit trembëdhjetë vite nga jeta e tij, të fshira nga legjendat që do të ngriheshin më pas për të, duke na kujtuar se sa më të lehtë e kemi t’i nderojmë të vdekurit kur nuk nuk munden të na i ndërlikojnë historitë që duam të tregojmë për ta.
Sot nuk jetojmë më në Elbasanin e Todhrit, por sërish përballemi me epidemi, zjarre e përmbytje që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike; vazhdojmë ende t’i shpërndajmë pasojat e katastrofave sipas hierarkive klasore dhe ende distancohemi nga jeta publike kur politika na duket shumë e largët. Edhe pse historia e tij nuk përsëritet, ajo lë pas gjurmë që bëhen të dukshme kur themelet e jetës shoqërore nisin të krisen.
Të dielën e ardhshme, flas në Apostrof me Yll Rugovën për “Botën e Todhrit” dhe rindërtimin e një jete përmes kodikëve, dorëshkrimeve të harruara, si edhe për një qytet të eklipsuar sa nga mitologjia kombëtare, po aq edhe nga titujt e lajmeve të ditës.
Ndonje studim per b@theq%rjen dhe sifilizin ne Elbasan? Po per origjinen turke te trecerekut te popullsise?
Nje punin mjaft serioz e teper shkencor.
Ka shume jevgj, gabel dhe egjiptian ne Elbasan, deputetet Blendi Himci dhe Adi Qose vijne nga ky komunitet