Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur sot se kanë nisur punimet për modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve.
Projekti mbështetet me rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, financim që Karakaçi e cilësoi si grantin më të madh të dhënë nga BE-ja për një projekt në Shqipëri. Financimi do të kombinohet me mbështetjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim.
Sipas ministrit, ky investim përbën vetëm fazën e parë të projektit, ndërsa faza e dytë parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet, Porto Romano dhe Spitallë, me mbështetje të mëtejshme nga Bashkimi Evropian.
“Ky është një projekt i mbështetur me grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri. Rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, së bashku me financimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim, do të mundësojnë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në Durrës”, deklaroi Karakaçi.
Ai theksoi se mbështetja financiare e BE-së për projekte të tilla pritet të rritet në vitet në vijim, duke e lidhur këtë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Fjala e Enea Karakaçit:
Një projekt i mbështetur me grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri, janë rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ku së bashku me financimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim do të mundësojnë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në Durrës. Kjo është dëshmi e qartë e përftimeve nga hyrja në Bashkimin Evropian dhe këto financime do vijnë duke u zgjeruar çdo vit që ne afrohemi drejt Bashkimit Europian.
Por kjo është vetëm faza e parë. Faza e dytë e projektit parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romanos, Spitallë, ku përsëri mbështetemi nga Bashkimi Evropian, i cili financon përmes grantit rreth 2/3 e vlerës së investimit. Në total, projekti parashikon rreth 113 kilometër rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh. Përgjatë tre viteve të ardhshme 2027–2030, kemi gati financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të ndotur me vlerë 330 milionë euro. Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura.
