Ervis Deti, i akuzuar si pjesë e grupit të drejtuar nga Ervis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë.
Policia njofton se procedura është finalizuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Sipas autoriteteve, 41-vjeçari kërkohej nga drejtësia italiane pasi Gjykata e Barit i kishte caktuar në vitin 2025 masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Deti ishte arrestuar në Shqipëri në maj të vitit 2025, në kuadër të operacionit të përbashkët “Ura”, i zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane kundër një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës me aktivitet mes Shqipërisë dhe Italisë. Gjykata shqiptare kishte miratuar më pas nisjen e procedurave për ekstradimin e tij në Itali.
Lidhja me grupin e “Visit të Pojës”
Emri i Ervis Detit doli në dosjen “Ura”, ku autoritetet hetimore goditën një grup të dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të bëra publike nga dosja hetimore, aktiviteti i grupit të “Visit të Pojës” ishte dokumentuar edhe përmes komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC. Hetimet flisnin për dhjetëra episode të trafikut të drogës, me një vlerë të përllogaritur në miliona euro.
Për Detin, një nga episodet e përshkruara nga autoritetet italiane lidhet me transportin e një sasie prej rreth 2 kilogramësh heroinë drejt Barit, ndërsa në dosjen shqiptare ai u akuzua së bashku me persona të tjerë edhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas hetimeve të bëra publike, Deti dyshohej se kishte ndërmjetësuar edhe kalimin e një trafikanti përmes Portit të Durrësit, kundrejt një pagese prej 3 mijë eurosh.
Në prill të vitit 2026, GJKKO e dënoi Ervis Detin me 2 vite burgim, dënim i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 1 vit e 4 muaj. Vendimi lidhej me akuzën për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Grupi ku bënte pjesë Deti u godit në maj të vitit 2025, kur në kuadër të operacionit “Ura” u lëshuan dhjetëra masa sigurie në Shqipëri dhe Itali. Në qendër të hetimit ishte grupi i drejtuar, sipas autoriteteve, nga Ervis Doçi, “Visi i Pojës”, me bazë aktiviteti në Durrës dhe lidhje me trafikun e drogës drejt Italisë.
Tashmë, me përfundimin e procedurës së ekstradimit, Ervis Deti do t’u dorëzohet autoriteteve italiane për përballjen me procedimin penal për të cilin Gjykata e Barit kishte caktuar masën e arrestit në burg.













