Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është shfaqur këtë të mërkurë sërish nga arratia, duke përshëndetur reagimin e Prokurorisë së Posaçme për nisjen e hetimeve për deklaratat e tij, për trafik armësh nga Shqipëria.
Në një lidhje direkte për News 24, ish-numri dy i qeverisë shqiptare shpreson se dosja dhe materialet do të bien në duart e prokurorëve të ndershëm, siç i quan ai prokurorët e SPAK.
"Shpresoj që të bjerë në duar prokurorësh që janë jashtë kontrollit të kreut të organizatës. Çfarë do dali nuk e di. Unë shpresoj që prokurorë të ndershëm të SPAK të marrin në dorë edhe fjalimin e ministrit të Mbrojtjes, që në njohuritë e mia, edhe juridike, ajo që Ermal Nufi ka thënë në Parlament është rrëfim penal. Sepse ka thënë "NE" prodhojmë armë. Kush "NE"? Shteti shqiptar.
Sepse ku bëhet prodhimi i armëve? Kush e bën? Ku janë dërguar? Kush i ka dërguar armët? A janë të Shqipërisë, apo marrëveshje larg syve të NATO-s? Në ato përgjime flitet për trafik armësh nga vende të embarguara nga Bashkimi Europian", u shpreh Arben Ahmetaj.
Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho ka firmosur një dokument, duke kërkuar nga televizioni “Syri Tv” që ti verë në dispozicion të gjithë materialin e emisionit përfshirë këtu dhe përgjimet bruto të transmetuara në publik.
Në qendër të denoncimeve të tij janë biznesmeni Izraelit, Ron Yefet, kompania “Timak Defense” dhe ajo që Arben Ahmetaj e quan “koncepti KAYO”.
Ish-zëvendëskryeministri në ekzil ka ngritur akuza të forta edhe për industrinë ushtarake, referuar përgjimeve, duke pretenduar se armët prodhohen e paketohen në Shqipëri për t’u dërguar më pas në zona konflikti në botë.


