Goditet një rast i trafikimit të drogës nga Kanadaja, sekuestrohen mbi 107 kg kanabis në Portin e Durrësit (VIDEO)

9 Shtator 2026 | 15:13

Një rast i trafikimit të kanabisit nga Kanadaja drejt vendit tonë është goditur në Portin e Durrësit. Policia bën me dije se lidhur me rastin janë sekuestruar 107.7 kg kanabis e llojit “Gelato”.

Sipas njoftimit të policisë vlera e kësaj sasie droge shkon rreth 1.2 milionë euro. Droga u gjet në 2 automjete dhe 1 kamper ku u ushtrua kontroll i imtësishëm. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 2 persona. 

“Port Durrës-Goditet një tjetër rast i trafikimit të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 2”, sekuestrohen 107.7 kg kanabis të llojit “Gelato”, me vlerë tregu rreth 1.2 milionë euro.

Shpallen në kërkim 2 shtetas. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Në kuadër të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria, në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të një kontejneri të ardhur nga Kanadaja, brenda të cilit ndodheshin 2 automjete dhe 1 kamper, u ushtrua kontroll i imtësishëm.

Gjatë kontrollit të kamperit, në hapësira të modifikuara dhe të mbuluara me veshje druri, u gjetën të fshehura 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa “Gelato”, me peshë totale 107.7 kg. Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1.2 milionë euro.

Gjithashtu, gjatë kontrollit u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave me mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.

Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Kanada dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në vende të posaçme, të modifikuara në mjetet e porositura për blerje.

Në vijim të veprimeve hetimore, u shpallën në kërkim, si të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, dy shtetas, për të cilët, për arsye hetimi, nuk bëhen me dije gjeneralitetet.

Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Banorët e Selenicës kundër bashkimit me Vlorën

Banorët e Kotës janë shprehur të gjithë kundër bashkimit të Bashkisë Selenicë me Bashkinë Vlorë. Gjatë dëgjesës publike, banorët deklaruan njëzëri se nuk e pranojnë...
14:37 | 09/09/2026

Ilir Meta kërkon sërish lirinë, kërkesë GJKKO-së për zëvendësimin e masës së sigurisë

Ilir Meta ka paraqitur një tjetër kërkesë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest...
13:53 | 09/09/2026

Zjarri përfshin kodrat e fshatit Bago­ në Kavajë, flakët afrohen pranë banesave (VIDEO)

Një zjarr ka përfshirë kodrat pranë fshatit Bago të Kavajës, duke shkaktuar një situatë shqetësuese për banorët e zonës. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe...
13:41 | 09/09/2026