Policia ka goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë, në Portin e Durrësit. Në një kontejner të ardhur nga Kanadaja, brenda të cilit ndodheshin dy automjete dhe një kamper, policia zbuloi një sasi prej 107 kilogramësh kanabis të llojit “Gelato”.
Droga ishte fshehur në hapësira të modifikuara të kamperit, të mbuluara me veshje druri. Në total u gjetën 190 pako me kanabis, ndërsa vlera e saj në treg përllogaritet në rreth 1.2 milionë euro.
Nga hetimet paraprake dyshohet se droga sigurohej në Kanada dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në hapësira të posaçme, të modifikuara në automjetet e porositura.
Në vijim të hetimeve, policia ka shpallur në kërkim dy shtetas të dyshuar për trafik droge. Për arsye hetimore, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e tyre.
Ky është rasti i dytë brenda dy javësh ku kapet një sasi e konsiderueshme droge në Portin e Durrësit. Edhe më datë 22 gusht, policia sekuestroi 80 kilogramë kanabis të ardhur nga Kanadaja drejt Shqipërisë. (A2 Televizion)