Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Ekonomi

Euro në rënie edhe për shtatorin, pranë thyerjes së kufirit të 92 lekëve

Shkruar nga Newsbomb
Euro në rënie edhe për shtatorin, pranë thyerjes së
Foto ilustruese

Kursi i këmbimit të Euros po vijon rënien edhe në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 92.02 lekë, shumë afër nivelit minimal historik prej 92.01 lekësh të regjistruar më datë 3 shtator.

Që nga fillimi i vitit, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 4.9%, ndërsa krahasuar me një vit më parë Euro është zhvlerësuar me 5.3%.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, oferta e Euros në treg paraqitet e lartë, çka mund të shpjegohet pjesërisht me zgjatjen e sezonit të pushimeve verore dhe me flukset e larta hyrëse të lidhura me to.

Zhvlerësimi i Euros, por edhe interesat më të ulëta të lekut, në vitet e fundit janë shoqëruar edhe me zhvendosje të kreditimit të individëve masivisht drejt Lekut, madje edhe me konvertime të kredive ekzistuese nga Euro në Lekë.

Pjesërisht, një tendencë e tillë po vërehet edhe te depozitat. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë rritje të shitjes së Euros dhe kanë shtuar kërkesën për Lekë në tregun valutor.

Banka e Shqipërisë e shpjegon forcimin e Lekut kryesisht me përmirësimin e vazhdueshëm të Bilancit të Pagesave. Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës Qendrore, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Nga ana tjetër, politika e ndjekur nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, me suficite të mëdha buxhetore në pjesën dërrmuese të vitit, besohet se po ushtron një ndikim shtesë në forcimin e Lekut. Për 7-mujorin 2027, buxheti ishte në suficit në vlerën e 50.7 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë vazhdon të blejë valutë me qëllim frenimin e ritmit të shpejtë të rënies së kursit të Euros, por këtë vit efektshmëria e ndërhyrjeve të saj ka qenë më e ulët, raporton Monitor.al.

Shifrat e ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë janë bërë publike vetëm deri në fund të tremujorit të parë, kur u blenë afërsisht 140 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Shifrat e periudhës në vazhdim nuk janë bërë ende publike, por mbështetur në vlerësime të tërthorta analistët e tregut besojnë se blerjet janë rritur më tej krahasuar me të njëjtat periudha të dy viteve të mëparshme. Më herët, në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore pati tërhequr më shumë se dy miliardë euro nga tregu, në përpjekjet e saj për ta ngadalësuar forcimin e monedhës vendase.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese