‘Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi’, Nuri: Audio-përgjimet kërkojnë dorëheqje dhe reagim institucional

15:32, 09/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një intervistë në edicionin e pasdites në Syri TV, Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Franc Nuri, deklaroi se audio-përgjimet e publikuara së fundmi janë prova të rënda që duhet të hetohen me seriozitet maksimal nga SPAK.

Nuri e konsideroi nisjen e hetimeve një hap pozitiv, por tha se reagimi i institucioneve duhet të kishte qenë më i shpejtë, duke theksuar se materialet e publikuara ngrenë pikëpyetje serioze për trafikun ndërkombëtar të armëve dhe implikimet e mundshme për sigurinë kombëtare.

Nuri kritikoi mungesën e reagimit të qeverisë dhe institucioneve shtetërore, duke deklaruar se në një shtet normal do të kishte të paktën dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, ndërsa kërkoi edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga Presidenti i Republikës.

Ai tha se nuk mund të ketë heshtje institucionale përballë akuzave që lidhen me armët dhe sigurinë kombëtare.

Nuri kritikoi gjithashtu retorikën e qeverisë për riarmatimin dhe ringritjen e industrisë ushtarake, duke kërkuar verifikim të plotë të pretendimeve dhe transparencë përballë qytetarëve.

Pjesë nga intervista:

Është hera e parë që dalin audio përgjime të këtij niveli, të këtij kalibri. Janë prova shumë të rënda. SPAK apo prokuroria mund t'i konsiderojë indicie për momentin, por unë do të thosha prova në kuptimin që ato janë bërë publike tashmë nga ish-krahu i djathtë i Ilir Metës, për shumë e shumë vite, Arben Ahmetaj, i cili në disa intervista ekskluzive tashmë prej disa muajsh në arrati, ka dhënë për Syri Televizion, herë pas here, fakte, prova, indicie, të cilat janë vërtetuar me kalimin e kohës. Vetë personazhi tregon që ka besueshmëri në ato që ka deklaruar sepse janë vërtetuar, të gjitha ato që ka thënë ai.

Nga llogaritë, aksin, Ergys Agasin e të tjerë e të tjerë. Janë vërtetuar me kalimin e kohës apo dhe përpara pak javësh. Kështu që besueshmëria e personazhit është e tillë që duhej marrë me seriozitet maksimal nga ana e organeve ligjzbatuese. Unë mendoj që është një hap pozitiv nisja e hetimeve nga SPAK, në kuptimin që në momentin që kërkohen këto evidenca, sikundër ju e thatë, pra audio përgjimet dhe emisioni i plotë në mënyrë zyrtare dhe institucionale nga SPAK, kjo tregon që hetimi tashmë ka nisur. Mbetet për t'u parë ndoshta momenti i saktë, a ka filluar të nesërmen e atyre audio përgjimeve, apo dhe atë natë, sepse do kohë reagimit, është ajo që mua deri diku do ngjallte pak kuriozitet më tepër.

Sepse në të shkuarën ka pasur raste kur edhe gazetarë investigativë e të tjerë kanë deklaruar, kanë nxjerrë elementë sensitivë në media dhe pa mbaruar emisionin, kanë shkuar oficerë të policisë gjyqësore, OPGJ-të, në atë televizion dhe e kanë pritur personazhin, gazetarin e të tjerë për t'i marrë telefonin apo për t'i marrë materialin. Kështu që në këtë rast ky veprim nuk është bërë kaq shpejt, por më mirë vonë se kurrë. Jemi brenda, po themi, atyre tre-katër ditëve të para mbas shpërthimit të këtij skandali, kështu që pritej, ishte diçka e pritshme që hetimet të nisnin, madje duhet të kishin nisur më herët.

Nuk po ndodh në Shqipëri. Atë desha të shpjegoj. Në aspektin politik tashmë shikoj që në Shqipëri nuk ka reagim, nuk ka reagim në nivelin e duhur. Në një shtet normal do të kishte pasur dorëheqje.

Ndoshta përgjigjet do të dalin mbas disa ditësh apo mbas disa javësh dhe zakonisht nuk mendoj se do flasin personazhet e përfshirë shumë, por do të shikojmë nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar. Po le t'ia lëmë kohës. Ajo që duhet të ndodhë në një vend normal duhet të ishte një dorëheqje minimalisht e ministrit të Mbrojtjes, e prekur nga këto deklarata dhe nga këto përgjime.

Por pse jo dhe një përgjegjësi më e lartë. Po ashtu, duke qenë se ka të bëjë me sigurinë kombëtare, minimalisht pritej që të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe kjo, në dijeninë time, këtë gjë duhet ta bëjë Presidenti i Republikës, aq më tepër që është dhe me rol kushtetues, ka dhe, plus edhe nga formimi i tij ushtarak, të mos ta harrojmë, ka një përgjegjësi të madhe sa i takon çdo gjë që i lidhet me forcat e armatosura në Shqipëri. Dhe nuk shohim të ketë një reagim nga Presidenti i Republikës në lidhje me këtë çështje, minimalisht duhet të kishte thirrur Këshillin e Sigurisë. Sepse nuk mundet që të dalin në media skandal i tillë, audio përgjime të tilla, ku personazhe të huaj, një pjesë e madhe e tyre... pavarësisht se Errani jepet tashmë ka dhe shtetësinë shqiptare për dreq, por nuk mundet që të dalin e të flasin personazhe të tilla për trafik ndërkombëtar armësh, për të flitet për raketa që kapen në Itali, që vijnë nga Afrika, që tranzitojnë nga Shqipëria.

Kjo pra, ky është ai paradoksi i madh, që tjetër gjë propaganda dhe qeverisja me ato slloganet, me ato fjalët kyçe që vazhdojnë e i përsërisin prej kohësh. Ju kujtohet timoni, tepsia, tani ka dalë tek pasqyra, govata, nuk e di, besa, prania besnike. Vazhdojnë dhe mbushin qytetarët me propagandë, me ide madhështore, flasim për satelitë që do të rregullojnë ndërtimet pa leje në Shqipëri, flasim për investime të mëdha në infrastrukturë, aq më tepër në infrastrukturën ushtarake, e i prekin deri diku sedrën ndoshta dhe asaj shtresës të shoqërisë që mund të ketë pak nostalgji po themi nga koha e dikurshme kur Shqipëria kishte dhe prodhonte armë e të tjerë e të tjerë.

Ndërkohë, realiteti është krejt ndryshe. Jo vetëm që s'prodhohet gjë, por vetëm që, ju e patë dhe të gjithë e kanë parë se çfarë ndodhi edhe me ato mjetet ushtarake që u prezantuan përpara pak javësh, që ishin mjete të transformuara, nuk e di, për mos bërë reklamë, marka të ndryshme, Toyota apo  kishin ndryshuar logon dhe kishin vendosur emrin e me pak modifikime dhe duan ta shisnin në kuptimin që t'u hidhnin hi syve publikut duke thënë që këto ishin prodhim shqiptar. E njëjta gjë mund të jetë edhe për pjesën e armatimeve e të tjerë me radhë. Dhe kjo prandaj duhet verifikuar, sepse këtej del kryeministri, ministri dhe të gjithë eksponentët dhe thonë se do të bëjnë riarmatim, do të bëjnë po themi, do të ringrenë industrinë e armatimit. Nga ana tjetër shërben vetëm si vello për t'i hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë, publikut dhe të gjithë atyre që kanë interes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco