SYRI TV/ Drejtësia në kolaps, bojkotet paralizojnë gjykatat në Tiranë dhe rrethe

15:53, 09/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vonesa e pagës së gushtit dhe konflikti ligjor për rritjen e rrogave për magjistratët ka çuar sistemin e drejtësisë prej dy ditësh drejt kolapsit. Përveç Tiranës, edhe në rrethe administrata e disa gjykatave nuk është futur në zyrat e saj, duke kërkuar kalimin pa asnjë vonesë të pagave.

Administrata e të vetmes gjykatë apeli me juridiksion të përgjithshëm në Tiranë paraqet të njëjtat kërkesa. “Nuk mund të mbahemi peng në një konflikt që nuk është i yni”, tha administrata në një reagim për mediat. Ndërkohë që në Tiranë, këtë të mërkurë, ka nisur bojkoti nga avokatët i të gjitha proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, për shkak të rregullores së re që miratoi kjo gjykatë dhe që ndalon avokatët të mbajnë celular në gjyq.

Pas pezullimit të punës nga administrata gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, e cila vijon prej 2 ditësh për shkak të mospagesës së pagave të muajit gusht, këtë të mërkurë i janë bashkuar edhe punonjësit e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Lushnjë e Vlorë. Ata kanë pezulluar shërbimet administrative, ndërsa në vijim pritet të zhvillohen vetëm seancat gjyqësore që konsiderohen me karakter urgjent. Kjo situatë ka paralizuar shërbimin ndaj qytetarëve, të cilët qëndrojnë në pritje në dyert e gjykatave.

Ndërkohë, avokatët shprehen se është një proces i paorganizuar, pasi ata, por edhe qytetarët, nuk janë lajmëruar më përpara.

Ndërkohë, në Tiranë, në të vetmen Gjykatë Apeli, administrata për të dytën ditë bojkoton punën, teksa të mërkurën ndanë për mediat një reagim të gjatë, ku, mes të cilave, thuhet se ata nuk duhet të bëhen bartës të pasojave në konfliktin mes ekzekutivit dhe gjyqësorit.

“Kjo situatë është veçanërisht e padrejtë për një arsye të thjeshtë: kur u diskutuan dhe u miratuan rritjet e pagave të gjyqtarëve, administrata gjyqësore nuk u trajtua si pjesë e së njëjtës problematikë financiare dhe nuk përfitoi proporcionalisht nga këto rritje. Sot, e njëjta administratë po përfshihet në këtë çështje dhe paga e saj po përdoret faktikisht si mjet presioni. Ne nuk mund të jemi pjesë e përfitimeve vetëm kur duhet të mbajmë barrën e pasojave”.

Në reagim përfshihet edhe ngarkesa që i shkaktoi kësaj administrate ndarja e re e hartës gjyqësore dhe kushtet e punës që nuk kanë ndryshuar prej vitesh.

Ndërkohë, të enjten e 10 shtatorit pritet të zhvillohet mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve, e cila zhvillohet në raste të gjendjeve të jashtëzakonshme. Unioni i gjyqtarëve e cilëson një problematikë të jashtëzakonshme, e cila kërkon zgjidhje të menjëhershme. Ndërkohë që prej kohësh është debati mes ekzekutivit dhe gjyqësorit për rritjen e pagave të magjistratëve, gjyqësori deklaron se është kompetencë e tij, ndërsa qeveria thotë se pagat në gjyqësor janë në të drejtë të ekzekutivit.

Një tjetër bojkot ka kolapsuar Gjykatën e Posaçme në Tiranë. Me vendimin e 8 shtatorit të Dhomës së Avokatisë, mbrojtësit ligjorë kanë bojkotuar çdo seancë gjyqësore, përveç masave të sigurisë. Ky bojkot pa afat nisi për shkak të rregullores së re, që ndalon avokatët dhe gazetarët të mbajnë celular në seancat gjyqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco