Shërbimi Rumun i Inteligjencës (SRI) deklaroi se kishte parandaluar një plan sabotazhi nga Rusia, ndërsa ka arrestuar një shtetas për spiunazh ndaj bazave të saj ushtarake, shkruan Reuters.
Shtetasi rus, i cili jeton në Rumani, u arrestua në një operacion të përbashkët me agjenci të tjera të huaja të inteligjencës, pasi kishte fotografuar zona të ndjeshme ushtarake, përfshirë baza të përdorura nga NATO-ja.
Të martën, Shërbimi Rumun i Inteligjencës (SRI) bëri të ditur se shtetasi rus ishte nën vëzhgim që prej muajit shkurt.
40-vjeçari vepronte nën koordinimin e drejtpërdrejtë të një mbikëqyrësi rus, përmes shërbimeve të enkriptuara të mesazheve në internet, thuhet në njoftim.
Disa sulme sabotimi në Evropë janë kryer nga individë rusishtfolës që vepronin si përfaqësues të drejtuar nga mbikëqyrës në Rusi, të cilët u ofronin para dhe udhëzime përmes internetit.
I dyshuari ishte udhëzuar të mblidhte informacione ushtarake dhe të kryente vëzhgime, ka njoftuar SRI-ja.
Mediat vendase kanë raportuar se i dyshuari kishte fotografuar baza ushtarake kombëtare dhe të NATO-s, si dhe lëvizjet e trupave dhe pajisjeve nëpër vend.
Hetimi ka zbuluar se i dyshuari ishte udhëzuar të dokumentonte asete strategjike ushtarake, përfshirë avionët ukrainas të transportit "Antonov" gjatë qëndrimit të tyre në Rumani.
Evropa e ka akuzuar Moskën për zhvillimin e një fushate hibride sabotimi, sulmesh kibernetike dhe dezinformimi, që synon mbështetësit e përpjekjeve të Kievit në luftë.
Ky operacion i fundit sabotimi pason një sulm të dështuar me dron në aeroportin Leipzig/Halle, ngjarje që përshkallëzuar tensionet mes Berlinit dhe Moskës.
© SYRI.net