Berisha takim me kongresmenin Sessions: Diskutuam për farsën zgjedhore dhe nevojën për qeveri teknike në Shqipëri

9 Shtator 2026 | 18:50

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të mërkurë ka zhvilluar një takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kongresmenin republikan Pete Sessions, ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike në Shqipëri, trafiku i drogës, korrupsioni dhe proceset zgjedhore.

Berisha gjatë këtij takimi ishte i shoqëruar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Berisha përmes një postimi në mediat sociale ka bëre me dije se u diskutua për ndikimin e krimit të organizuar dhe parave të drogës në politikë dhe zgjedhje. Sipas tij, këto fenomene po minojnë demokracinë dhe institucionet e pavarura në Shqipëri.

Berisha ngriti gjithashtu shqetësimin për kontrollin e qeverisë mbi institucionet e drejtësisë, duke akuzuar kryeministrin Rama se po e përdor drejtësinë si “armë politike” kundër opozitës.

Sipas Berishës, u diskutua edhe nevoja për një qeveri teknike në Shqipëri, si një hap për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe rikthimin e besimit te institucionet.

Reagimi i plotë:

Takim me Kongresmenin Pete Sessions: Diskutuam mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsën zgjedhore, nevojën për qeveri teknike në Shqipëri

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me anëtarin e Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes, kryetarin e Nënkomisionit të Operacioneve Qeveritare, Kongresmenin Pete Sessions. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsioni galopant dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në manipulimin e proceseve zgjedhore.

Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim.

Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës, të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes, po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.

E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se qeveria kontrollon plotësisht drejtësinë dhe po e përdor atë si armë politike kundër opozitës, me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heqë imunitetin Ballukut, duke i bllokuar kështu haptas drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.

Në këtë takim e falënderuam Kongresmenin Sessions për interesin e tij për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, luftën kundër karteleve të drogës dhe politizimin e drejtësisë. Takimi ishte i hapur. Në takim merrnin pjesë z. Bert Misuzawa, kandidat republikan për Senat në Shtetin e Virxhinias, dhe Gjenerali Zapanta.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

U plagos gjatë operacionit për kapjen e Violand Braçellarit, Hita viziton policin Edison Adri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita këtë të mërkurë vizitoi në banesë policin Edison Adri, i cili u plagos gjatë operacionit në...
18:38 | 09/09/2026

Zahiretë e gjyshes në tryеzat e turistëve, shijet që mbajnë gjallë traditën në Pogradec

Kjo është Viola Muçllari, nga fshati Çeravë i Pogradecit. Prej ditësh ajo është e angazhuar me përgatitjen e zahireve për stinën e dimrit, duke ruajtur...
18:30 | 09/09/2026

37 mijë ha tokë e djegur nga zjarret këtë verë, dy herë më pak se vjet

Më shumë se 37 mijë hektarë tokë janë shkrumbuar këtë verë nga zjarret. Zonat më të prekura janë në qarqet Tiranë, Durrës dhe Fier, ndërsa...
18:11 | 09/09/2026