Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ashpërsuar tonet ndaj SPAK-ut pas shtimit të akuzave ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në një reagim, Bardhi ngre pikëpyetje mbi faktin që, pavarësisht rëndimit të pozitës penale të Ballukut, Prokuroria e Posaçme nuk i është drejtuar ende Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit.
Sipas deputetit demokrat, Ballukut i janë shtuar tre akuza të reja: korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, fshehje ose mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim i produkteve të veprës penale në rrethana cilësuese.
Këto, sipas Bardhit, i bashkohen akuzës së mëparshme për shkelje të barazisë në tendera, që lidhet me tetë procedura tenderimi.
Bardhi ndalet edhe te sekuestrimi i një vile në Palasë, të cilën ai e lidh me Ballukun dhe pretendon se është përfshirë në një skemë të ngjashme me një pronë tjetër të sekuestruar më herët.
“Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut?”, pyet Bardhi, duke kërkuar shpjegim se përse SPAK nuk ka ndërmarrë hapin për t’i kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit.
Ai rikthen në vëmendje edhe një deklaratë të bërë më herët në Kuvend, sipas së cilës rëndimi i pozitës penale të një të pandehuri duhet të shoqërohet edhe me rëndimin e masës së sigurimit.
“Pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar jo një herë, por katër herë”, deklaron Bardhi, duke argumentuar se bëhet fjalë për akuza që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMEMTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj?
Sot, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar përsëri. SPAK e ka marrë të pandehur edhe për 3 akuza të reja:
1. Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
2. Fshehje ose mosdeklarim të pasurisë.
3. Pastrim të produkteve të veprës penale, në rrethana cilësuese.
Të treja këto i shtohen akuzës së mëparshme:
4. Për shkelje të barazisë në tendera, që përfshin 8 procedura tenderimi.
Siç kisha paralajmëruar shumë muaj më parë, SPAK, më në fund, e gjeti edhe vilën e dytë dhe gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e vilës në Palasë, të cilën Belinda Balluku ia ka marrë Arbër Abazit të Aeroportit të Vlorës dhe, njësoj si vilën nr.1, e ka vënë sërish në emrin e Igli Tares.
Media ka raportuar se janë 300 vila të tilla, në çdo resort të ndërtuar në vend. Do të duhet që të zbulohen të 300-a përpara se SPAK-u të zbatojë ligjin dhe të respektojë standardin e deklaruar dhe të zbatuar dhjetorin e kaluar nga vetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme? Zoti Braho ka deklaruar në Kuvend se, “kur rëndohet pozita penale e një të pandehuri, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit ndaj tij.”
Bashkë me këtë të sotmen, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar jo 1 herë, por 4 herë, me akuzat më të rënda penale që një zyrtar mund të ketë në lidhje me veprat e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Atëherë, pse nuk i drejtohet SPAK Kuvendit për heqjen e imunitetit?
Peshorja e drejtësisë nuk duhet të anojë më nga interesi politik i Edi Ramës! Çdo ditë vonesë është përpjekje për të lehtësuar pozitën e Belinda Ballukut dhe për të mbrojtur korrupsionin e saj dhe të Edi Ramës.













