Një lëvizje e papritur ka ardhur nga politika e Kosovës pasi mësohet se është kallëzuar nga një prej ish-deputetëve të tij kryeministri Albin Kurti. Lajmi është mësuar përmes postimit të ndarë nga vetë ish-deputeti i “LVV”-së, Haki Abazi i cili bën me dije se ka kallëzuar penalisht Albin Kurtin.
“Sapo dorëzova kallëzim penal pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kundër Albin Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë për tre vepra penale të konsumuara!” shkruan Abazi në postimin e ndarë pasditen e sotme në rrjet.
Referuar dokumentit të ndarë nga vetë Abazi, mësohet se kallëzimi ka të bëjë me pretendimet për veprat penale "keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar", "pengim të funksionimit të institucioneve kushtetuese" dhe "mosekzekutim të vendimeve gjyqësore".
Në kallëzimin penal të bërë nga Abazi pretendohet se Kurti, duke mbajtur njëkohësisht detyrën e kryeministrit në detyrë dhe mandatin e deputetit, ka refuzuar të përmbushë detyrimet kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit.
