Nga Cesare Arcolini, VENEZIA TODAY
Mbërrijnë zhvillimet e para lidhur me vrasjen e zbuluar të martën, më 8 shtator, në Padova të Italisë. Viktima është 35-vjeçari shqiptar Ferdinant Hoti. Dyshohet se ai mund të ketë qenë një person nga rrethi i personave të përfshirë në të shtënat në Zianigo të Miranos në muajin korrik, por për hetuesit deri tani nuk ka prova në këtë drejtim.
Policët ushtarakë të njësisë hetimore të Padovës, të koordinuar nga nënkoloneli Enrico Zampolli nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Padovës, nuk përjashtojnë asnjë hipotezë: Hoti mund të jetë vrarë me një të shtënë arme zjarri në një vend tjetër nga ai ku më pas u gjet, dhe më vonë të jetë transportuar deri në San Giorgio delle Pertiche brenda një qeseje të zezë.
Ndërkohë vijojnë hetimet për të identifikuar sa më shpejt autorët e vrasjes dhe, në një fazë të dytë, bashkëpunëtorë të mundshëm që mund të kenë planifikuar planin për të hequr qafe trupin.
Ngjarja mund të jetë e lidhur me atë që ndodhi natën mes 30 qershorit dhe 1 korrikut, kur një shtetas me kombësi shqiptare ishte qëlluar me armë zjarri në shpatull në Mirano, ndërsa po kthehej në shtëpi me partneren pas mbrëmjes. Më pas ai ishte transportuar në spital, pa qenë në rrezik për jetën.
Prita dyshohet se ishte kryer nga dy persona, me shumë gjasë të së njëjtës kombësi me të plagosurin, të cilët kishin pritur te dera e shtëpisë shtetasin dhe gruan, duke e goditur atë me të shtënën e armës së zjarrit.
Kamerat elektronike të pranishme në San Giorgio delle Pertiche mund të rezultojnë tani vendimtare për të arritur te momenti kur makina u shty në lumin Tergola, me trupin e pajetë të 35-vjeçarit brenda saj.
Pamjet do të shqyrtohen duke u kthyer pas në kohë, sepse duket e qartë se ai që e përfundoi veprimin, duke u përpjekur të fshihte kufomën, mund të ketë bërë më shumë se një vëzhgim në terren për të përcaktuar pikën e saktë ku do ta fundoste makinën.
© SYRI.net