Qytetarët janë bërë bashkë në ditën e 102-të në zemër të Tiranës duke u zhvendosur si zakonisht, poshtë zyrës së Edi Ramës, nga ku kanë mbajtur fjalimet duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen tubimit. Ndërsa qytetarët të cilët mbajtën fjalimet e tyre, vunë në fokus protestën kombëtare që pritet të mbahet më 12 shtator, në Tiranë.
Të drejtën e fjalës para Kryeministrisë, mbrëmjen e sotme e mori dhe një i mitur i cili pasi shprehu ankesat e tij për klasën politike, bëri thirrje që të shtunën të gjithë bashkë të bllokojnë autostradën. Mirëpo thirrja e tij u kundërshtua, megjithatë nuk dihet nëse të shtunën do të ketë bllokime aksesh rrugore apo jo nga ana e protestuesve.
Në mesin e fjalimeve, iu dha vëmendje dhe përplasjes së deputetes socialiste mes aktivistet, ngjarje për të cilën qytetarët nga Kryeministria shprehen se Luarasi është viktimizuar.
“Iris Luarasi nuk na përfaqëson. Ajo dje zgjodhi të viktimizohet” u shpreh aktivisti Mirjan Aliaj.
Të bindur se protesta do të sjellë plotësimin e kërkesave të tyre, protestuesit janë shprehur se prej 102 ditësh i kanë dëshmuar Ramës se Kryeministria dhe vendi është i tyre. Pas mbylljes së fjalimeve të sotme qytetarët kanë nisur me marshimin në drejtim të rrugës “Dëshmorët e Kombit”, aty ku para pak minutash pati dhe një incident mes disa të rinjve.


