Regjisori Edmond Topi ka reaguar së fundmi përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me Festivalin Kombëtar të Filmit shqiptar që po zhvillohet këto ditë. Përmes një postimi në Facebook ai e cilëson zhvillimin e filmit, si një lajm të mirë dhe të gëzueshëm, pasi prej 13 vitesh nuk ishte zhvilluar.
Ai është shprehur se emërtimi Festival Kombëtar është kryekëput i gabuar dhe ngre shqetësimin për përjashtimin e filmave kosovarë. Ndërsa shton se çështja është mjaft e vështirë për të kuptuar, Topi sjell në vëmendje momente kur qeveria e Kosovës ka financuar projektet e Shqipërisë.
"Së pari: emërtimi Festival Kombëtar është kryekëput i gabuar. Ndërkohë edhe fëmijët e dinë që nocioni komb është shumë më i gjerë se nocioni shtet. Gjuha, kultura kombëtare, traditat dhe arti, përfshi kinematografinë, janë bazike për mbijetesën në vite të kombit tonë! Ndërkohë që festivalit i mungojnë filmat nga Kosova… Në fakt, e vështirë për t’u kuptuar nga çdokush…! E pabesueshme, por e vërtetë! Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, në kuadrin e programeve të financimit të kulturës, financon projekte të subjekteve nga Shqipëria dhe që zhvillohen në Shqipëri! Për mua, kur e kam mësuar, gati e pabesueshme…, por ata e quajnë të vetëkuptueshme! Sepse për ta, kultura shqiptare nuk ka kufij shtetërorë. Chapeau!" shkruan Topi në reagimin e tij.
Reagimi i Edmond Topi vjen në kuadër të rikthimit të Festivalin Kombëtar të Filmit pas 14 vitesh mungesë, ndërsa kritikon mungesën e tij për më shumë 13 vitesh për të cilën shkruan se kjo ka ardhur si pasojë e paaftësisë.
Postimi i plotë i regjisorit Edmond Topi:
Festivali Kombëtar i Filmit ???… I katërmbëdhjeti????
Këto ditë po zhvillohet një festival i filmit shqiptar! Është padyshim një lajm i mirë dhe i gëzueshëm.
Si një profesionist që kam hyrë në këtë fushë përpara 45 vjetësh dhe vazhdoj të kontribuoj modestisht përditë…, kam të drejtën, mbase edhe detyrën, që të mos kaloj në ekzaltim si punëtorët e shtetit dhe ca përfitues…, por, duke mbetur racional, të shkruaj disa rreshta me një analizë modeste…
Fundja, për ta merituar edhe statusin e armikut, se asgjë nuk është falas në këtë kohë!
Shoh një event me shumë luks dhe shkëlqim… Bravo…!
Tironcit thonë: Parja e hudh ujtin përpjetë!
Në çdo vend të botës festivali i filmit do të ishte një lajm fare normal, sepse është detyrë bazike e institucionit të kinemasë. Festivali duhet organizuar çdo vit apo një herë në dy vjet. Për fat të mirë, kinemaja në gjuhën shqipe, në të dy anët e kufirit shtetëror, por edhe kudo ku jetojnë shqiptarët, prodhon mjaftueshëm filma. Sepse filmi shqip nuk është shtetëror – është art, kulturë dhe vetëdije kombëtare! Festivali u kthye në një ngjarje gati hyjnore…, sepse prej 13 vjetësh nuk ishte zhvilluar. Edhe në kohën e diktaturës është zhvilluar… tani jo! Pse?…
Për paaftësi dhe dashakeqësi! Turpi i mbuloftë…!
Pa asnjë dyshim, ndërprerja e kësaj “heshtjeje të turpshme” është një nismë për t’u përgëzuar e QKK-së.
Por le të shohim pak më tej:
Së pari: emërtimi Festival Kombëtar është kryekëput i gabuar. Ndërkohë edhe fëmijët e dinë që nocioni komb është shumë më i gjerë se nocioni shtet. Gjuha, kultura kombëtare, traditat dhe arti, përfshi kinematografinë, janë bazike për mbijetesën në vite të kombit tonë! Ndërkohë që festivalit i mungojnë filmat nga Kosova… Në fakt, e vështirë për t’u kuptuar nga çdokush…! E pabesueshme, por e vërtetë! Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, në kuadrin e programeve të financimit të kulturës, financon projekte të subjekteve nga Shqipëria dhe që zhvillohen në Shqipëri! Për mua, kur e kam mësuar, gati e pabesueshme…, por ata e quajnë të vetëkuptueshme! Sepse për ta, kultura shqiptare nuk ka kufij shtetërorë. Chapeau!!
Në të vërtetë, në edicionet paraardhëse ka pasur filma nga Kosova. Sivjet nuk ka!!! Pse? Fare thjesht… Për “faj të tyre”…! Po, po…! Sepse ata bëjnë filma më të mirë se ne dhe, kur vijnë, na i rrëmbejnë çmimet fituese. Gjë që ne nuk mund ta lejojmë…, se ne gjithçka falim…, veç suksesin JO…! Kështu që i biem shkurt dhe i përjashtojmë! Dhe kjo është më shumë se e turpshme!
Së dyti: Festivali i Filmit Shqiptar është pronësi intelektuale e patjetërsueshme e kinematografisë shqiptare dhe, rrjedhimisht, e institucionit shtetëror që menaxhon këtë pronësi, në këtë rast Qendra Kombëtare e Kinematografisë, si institucion vazhdues i Kinostudios. ASKUSH – e theksoj, ASKUSH – nuk mund të shesë, të falë, të menaxhojë apo të dhurojë trashëgiminë e krijuar me mund në kaq vite.
Festivali i Filmit Shqiptar është i barasvlefshëm me Festivalin e Këngës në RTSH apo Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Ardit Gjebrea organizon gjithashtu një festival muzikor, cilësisht shumë më të mirë se festivali i RTSH-së, por as atij dhe askujt nuk i ka shkuar në mendje që t’ia marrë RTSH-së!!… sepse kjo është thjesht e pamundur dhe e paligjshme…
Kjo duhet të vlente edhe për Festivalin e Filmit. Nëse QKK, për çfarëdolloj arsyeje, sado e pakuptimtë që mund të duket, nuk ka mundësi ta organizojë vetë Festivalin e Filmit Shqiptar, mund të vendosë, gjithsesi në mënyrë kolegjiale dhe gjithëpërfshirëse, vetëm kalimin e shërbimit (outsourcing) të prodhimit te një palë e jashtme, konkretisht te një kompani produksioni, ndërkohë që të gjitha vendimmarrjet që festivali përmban (publikimet, ftesa për pjesëmarrje, përzgjedhja e filmave, caktimi i seksioneve, jurive, çmimeve etj.) mbeten detyrimisht ekskluzivitet i Qendrës. Vetëm në këtë formë, QKK, si në bazë të praktikave të njohura ndërkombëtare, ashtu edhe sipas legjislacionit të Republikës së Shqipërisë, mund të hapë thirrjen zyrtare për kompanitë e interesuara.
Më pas, po QKK, si pushteti i vetëm i botës së filmit në Shqipëri, zgjedh edhe kompaninë e produksionit, e cila mund të jetë një kompani/konsorcium kompanish të specializuara në organizimin e festivaleve të filmit ose një kompani e specializuar në organizim dasmash dhe aktivitetesh të kësaj natyre! Zgjedhja e kompanisë, si dhe financimi me shuma marramendëse, është gjithashtu e drejtë ekskluzive e QKK-së.
Nisma e sivjetme mbetet private dhe, si e tillë, ka profilin e organizatorit apo organizatorëve në të gjithë komponentët e vet: përfshirë zgjedhjen e komisioneve përzgjedhëse, hartimin e programit të filmave garues, përcaktimin e seksioneve, jurive etj. E gjitha varet nga formimi, përvoja, shijet apo interesat private që e organizojnë atë!
Ndërkohë, festivali kombëtar institucional, siç ka qenë edhe përvoja e trembëdhjetë festivaleve të mëparshme, ka një strukturë krejt tjetër. Për organizimin e tij përzgjidhet një komision i gjithëpranuar, thellësisht profesional dhe i paanshëm, i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e festivalit, përmbajtjen dhe gjithëpërfshirjen, pasi përfaqëson politikat kinematografike të institucionit/shtetit.
Së treti, miq, më lejoni t’u përgjigjem pyetjeve tuaja të shumta se përse nuk jam unë dhe filmat e mi pjesë e festivalit!
Si kineast dhe themelues i njërës prej shtëpive të para filmike (1995) në vend, e kam pritur prej vitesh zhvillimin e Festivalit XIV të Filmit Shqiptar, me dëshirën për t’i paraqitur publikut krijimtarinë time. Në këto vite kisha xhiruar dy filma (natyrisht independentë) me pjesëmarrjen e aktorëve më të mirë që ka nxjerrë aktrimi shqiptar. Personalisht ia kisha shijuar suksesin filmit me çmime në festivale ndërkombëtare, ndaj i gëzohesha suksesit të Reshat Arbanës (njohësit thonë që është një nga rolet më të mira të karrierës së tij). Por edhe Tinkës, Margaritës, Luftarit, Zyli Milotit, Mehdi Malkajt… dhe më të rinjve, si Ema Andrea, Elia Zaharia, Gaz Paja e shumë të tjerë.
Edhe pasi mësova se faktikisht nuk bëhej fjalë për Festivalin e 14-të të Filmit Shqiptar, por për një festival privat, pasi mora njoftimin, u interesova për kriteret dhe komisionin përzgjedhës të filmave! Dhe këtu ndodhi çudia: sado që kërkoja, më dilte vetëm emri i drejtorit artistik! Që edhe për një festival privat nuk është fort e kuptueshme!
Me drejtorin artistik privatisht kemi qenë miq të mirë dhe na ka bashkuar pikërisht kinemaja. Pra, këtu nuk ka asgjë personale. Po një festival, në fund të fundit, merr profilin e atij që përzgjedh filmat dhe përcakton se çfarë kinemaje meriton të hyjë dhe çfarë të mbetet jashtë. Dhe për mua, pikërisht këtu ishte pengesa!
Ne kemi optika krejt të ndryshme për kinemanë – edhe për shkak të formimit tonë të ndryshëm: unë vij nga aktrimi dhe regjia e filmit, ndërsa ai nga artet figurative. Kjo sjell edhe qasje e shije të ndryshme: ai nuk çmon atë lloj kinemaje që xhiroj apo vlerësoj unë dhe, respektivisht, unë nuk çmoj atë lloj kinemaje që vlerëson ai. Për këtë arsye vendosa të mos aplikoj për të garuar në festival. Gjykova se duhet t’ia kurseja vetes dhe ekipit një zhgënjim… apo më shumë…!
Megjithatë, ato ditë, të them të drejtën, e kisha njëfarë dileme se mos ndoshta kisha gabuar!! Por koha ma hoqi edhe këtë dilemë! Festivali nuk i ka futur filmat e mi as në programet dytësore jashtë konkurrimit, ku nuk është i nevojshëm aplikimi apo miratimi i autorit, siç janë futur rreth 40 filma të tjerë.
Më vjen vërtet keq që Reshati & Co nuk do t’i prezantohet publikut… Por vetë kinemaja e ka karakterizuar prej kohësh një situatë të tillë me një frazë brilante:
“Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë!”
