Në zonën e Komunës së Parisit, familja Aliaj denoncon qiramarrësen Edjona Hoxha, e cila prej kohësh nuk ka shlyer detyrimet e qirasë, ujit dhe energjisë, ndërsa vijon të qëndrojë në apartament.
Kontrata e qirasë, e lidhur në vitin 2023, parashikonte pagesë mujore prej 430 mijë lekësh të vjetra, por sipas pronarëve, janë kryer vetëm disa pagesa të pjesshme.
Pavarësisht ndërhyrjeve dhe përpjekjeve për të komunikuar me qiramarrësen, ajo nuk ka pranuar të hapë derën, duke deklaruar se çështja është në gjykatë. Ndërkohë, pas ndërprerjes së shërbimeve, për shkak të detyrimeve të papaguara, pronarja Miranda Aliaj hapi banesën dhe u përball me një situatë tronditëse: apartamenti ishte dëmtuar rëndë dhe muret ishin mbuluar me jashtëqitje, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm material.
“Stop” kërkoi ndërhyrjen e policisë dhe strukturave sociale, të cilat mbërritën në banesë dhe konstatuan gjendjen e rëndë.
Pas ditësh pastrimi dhe dezinfektimi, apartamenti u rikthye në gjendje të banueshme. Miranda Aliaj thotë se dëmi i shkaktuar shkon në rreth 20 milionë lekë, pa llogaritur qiratë dhe faturat e papaguara, dhe paralajmëron kërkesën për dëmshpërblim në gjykatë.
“Përshëndetje, Odeta! Unë kam marrë çelësat e shtëpisë dhe kam hyrë në shtëpinë time falë jush, falë dhe ndihmës suaj, por shtëpinë e gjeta në gjendje skandaloze. Shtëpia ime ishte e pabanueshme, duke filluar që nga parketi, që i kishte hyrë uji, ishte lënë çezma hapur, siç e patë dhe në video. Mure, bufe, divanë, karrige, të gjitha ishin jashtë përdorimit. Çdo gjë ishte për t’u hedhur në kosh. Punë e parë u bë dezinfektimi, pa maskë nuk hyhej dot, se nuk futeshe brenda. Të gjitha u hodhën në mbeturina.
Ishte një punë jashtëzakonisht e madhe. Pra, ishte shpenzim shumë i madh, më ka arritur në 20 milionë lekë. 20 milionë lekë. Sot shtëpia ime ka marrë këtë pamje.
Unë vazhdoj akoma me punëtorë, sepse akoma nuk ka përfunduar siç duhet. Tani, pas Stop-it, do të shkoj në Gjykatë për dëmshpërblim. Falënderoj Stop-in! Falënderoj Odetën bashkë me grupin e punës, Saimirin dhe Gentin!“/Emisioni Stop












