OpenAI njoftoi të martën se teknologjia e saj e inteligjencës artificiale ka zgjidhur një nga Problemet e Mijëvjeçarit – shtatë problemet më të famshme dhe ende të pazgjidhura të matematikës, të cilat prej dekadash kanë sfiduar edhe mendjet më të ndritura në botë.
Në publikimin e rezultateve, kompania tha se një model i brendshëm, i paaksesueshëm për publikun, ka zgjidhur problemin Navier-Stokes, një enigmë matematikore rreth 200-vjeçare që lidhet me lëvizjen e lëngjeve.
Sipas OpenAI, modelit iu deshën 88 orë për të arritur zgjidhjen, duke përdorur deri në 10 mijë 'agjentë të inteligjencës artificiale' që punonin njëkohësisht.
' Kjo arritje është rezultat i një pune të konsiderueshme nga matematicienë dhe studiues të inteligjencës artificiale. Megjithatë, nuk është fundi i rrugës, por vetëm një fotografi e progresit në zhvillimin e AI-së', thuhet në deklaratën e kompanisë.
Njoftimi ka shkaktuar debat në komunitetin e matematicienëve edhe për një arsye tjetër.
Një natë para njoftimit të OpenAI, profesori i matematikës në Universitetin e Nju Jorkut, Tristan Buckmaster, publikoi një deklaratë ku shpjegonte se ai dhe studiuesi i Anthropic, Levent Alpöge, kishin punuar mbi problemin Navier-Stokes, një projekt kërkimor që kishte nisur vitin e kaluar. Ata kishin përdorur një kombinim modelesh të mëdha gjuhësore, përfshirë Codex të OpenAI.
Sipas tyre, ndërsa po përgatiteshin të bënin publike rezultatet, kontaktuan studiuesit e OpenAI dhe më pas mësuan se kompania ishte pranë një zbulimi të ngjashëm.
'Dua të jem i qartë për atë që nuk po pretendoj', shkroi Buckmaster. 'Nuk e kam parë provën matematikore të OpenAI. Nuk e di çfarë bëri modeli i tyre dhe as si e bëri. Nuk e di nëse janë përdorur të dhënat tona. Nuk po akuzoj askënd për asgjë.'
Duke iu përgjigjur shqetësimeve se modeli mund të ketë përdorur punën e tyre ende të papublikuar, OpenAI pranoi se puna për zgjidhjen e problemit Navier-Stokes nisi më 1 shtator, pasi kompania kishte dëgjuar një thashethem se një tjetër problem i i Mijëvjeçarit mund të ishte zgjidhur.
Kompania tha se agjentët e saj kishin akses në mjete të tilla si leximi i një versioni të ruajtur të internetit dhe ekzekutimi i kodit, por theksoi se 'nuk panë asnjë pjesë të punës së tyre përpara se ajo të publikohej' dhe se 'nuk u përdor asnjë e dhënë specifike e përdoruesve për të zgjidhur këtë problem'.
OpenAI bëri të ditur se kontaktoi Buckmaster dhe Alpöge duke u ofruar publikim të njëkohshëm të rezultateve, si edhe transparencë mbi kërkesat (prompts) e përdorura dhe provën matematikore. Bashkë me njoftimin e së martës, kompania publikoi edhe provën e saj në sistemin Lean, duke treguar mënyrën se si agjentët e AI-së arritën në zgjidhje.
Megjithatë, OpenAI pranoi se 'nuk mund të përjashtojë mundësinë që të dhëna të anonimizuara, të krijuara nga përdorimi i produkteve tona prej tyre, të kenë ndihmuar në përmirësimin e modeleve tona'.
Rezultatet kanë tërhequr vëmendjen e disa prej matematicienëve më të njohur në botë, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë përdorimi i inteligjencës artificiale në zgjidhjen e problemeve kaq komplekse.
'Është pak a shumë si të shikosh një film dhe të kalosh direkt nga 10 minutat e para te 10 minutat e fundit; teknikisht historia mbyllet, por humbet pjesa më e madhe e vlerës së përvojës', tha për CNN matematikani Terence Tao, profesor në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.
Tao pranoi se është e mundur që OpenAI të ketë përfituar nga përpjekjet e vazhdueshme të matematicienëverë, por shtoi se 'dinamika tani është ajo e një gare të ethshme'.
'Përdorimi pa kriter i inteligjencës artificiale po e kthen këtë fushë në një lojë ku synohet vetëm prodhimi i rezultateve, gjë që në fund sjell shumë pak përfitim si për matematikën, ashtu edhe për botën', tha ai.
Problemi Navier-Stokes, i lidhur me punën e shekullit XIX të Claude-Louis Navier dhe George Gabriel Stokes, trajton dinamikën e lëngjeve dhe pyetjen nëse ekuacionet e tyre dështojnë në kushte të caktuara.
Shtatë 'Problemet e Mijëvjeçarit' u përzgjodhën nga Instituti Clay i Matematikës në Kembrixh të Masaçusetsit si pyetjet më të rëndësishme matematikore të mijëvjeçarit të ri.
Në vitin 2000 u krijua programi i Çmimeve të Mijëvjeçarit, i cili ofron 1 milion dollarë për zgjidhjen e parë të saktë të secilit problem.
Deri më sot, vetëm një prej tyre është zgjidhur zyrtarisht: Hamendësimi i Poincaré, një teoremë që lidhet me formën e hapësirave tredimensionale.
Në njoftimin e së martës, OpenAI deklaroi se nuk ka ndërmend të kërkojë çmimin prej 1 milion dollarësh për këtë rezultat. /CNN/
© SYRI.net