I ftuar në një lidhje skype në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, Edmond Panariti, Ish ministër i Bujqësisë, deklaroi se përmasat e zjarreve në Shqipëri tregojnë për një problem që nuk lidhet vetëm me kushtet klimatike.
Panariti tha se Shqipëria ka vetëm 0.17% të fondit pyjor e kullosor të Europës, por përbën rreth 3% të dëmeve nga zjarret, duke e cilësuar këtë një disproporcion prej 30 herësh.
Ai theksoi se vendi po përballet me një dëmtim kolosal të pasurisë pyjore dhe kullosore.
Panariti ngriti dyshime të forta për zjarre të qëllimshme me motive ekonomike, duke argumentuar se sipërfaqet e djegura mund të përdoren më pas për ndryshim destinacioni dhe investime.
Ai u shpreh se djegia mund të krijojë terren për ndërtimin e resorteve apo parqeve fotovoltaike, ndërsa paralajmëroi edhe për mundësi abuzimi me fondet emergjente që aktivizohen gjatë situatave të zjarreve.
“Nuk jemi te zjarre spontane, zjarre aksidentale, por zjarre të qëllimta për të liruar sipërfaqe”, deklaroi ish-ministri.
Pjesë nga intervista:
Shqipëria ka 0.17% të fondit pyjor kullosor total të Europës. Por, kontribuon me 3% të dëmeve totale nga zjarri. Kini parasysh pra është një disproporcion i tmerrshëm. 30 herë më shumë.
30 herë më shumë proporcionalisht në atë që ka ndodhur në Europë. Dhe janë po të njëjtët faktorë, pra faktor njerëzor dhe faktor ambiental, ajo që quhet vetëndezja, që është e papërfillshme. Vetëm se faktorët njerëzorë në Europë janë faktorë sporadik, spontan, kurse faktorët njerëzorë në Shqipëri, janë faktorë të orientuar për të shkatërruar këtë pasuri.
Dhe unë do të argumentoj më vonë pse ndodh kjo, e përmendi dhe profesor Guri, po tragjikisht Shqipëria është aktualisht vendi më i zhveshur në rajon. Pra mbulesa kullosore, pyjore e Shqipërisë është më e ulëta në rajon në raport me sipërfaqen. Pra nuk është Shqipëria e Naimit që i këndonte në poemën e famshme "Bagëti e Bujqësi", pyjet e gjelbëruara, fushat e mbushura me lule, çukat, gorricat. Praktikisht harroje këtë, Shqipëria është tashmë e zhveshur, kriminalisht, nga një abuzim flagrant me këtë pasuri të jashtëzakonshme. Në rastin që do të flasim aktualisht, ne kemi ende, sipas statistikave që vijnë nga Ministria e Mbrojtjes, 14 vatra aktive zjarri, pra historia nuk është mbyllur ende, dhe tashti që flasim aktualisht ne kemi 11 mijë hektarë sipërfaqe të djegur totalisht, dhe rreth 34 mijë hektarë sipërfaqe të prekur nga zjarri. Pra një dëm jashtëzakonisht i madh kolosal. Kush qëndron pas kësaj? Sepse, në rast se do të bëjmë një analizë, janë faktorë njerëzorë, janë dhe faktorë ambientalë.
Shiko, statistikat që unë përmenda, që ti je 30 herë më shumë sesa dëmi në Europë dhe faktorët janë ata njerëzorë dhe ambientalë, tregojnë që ka faktor njerëzor kriminal, i cili është i interesuar për arsye ekonomike, për arsye të përfitimit, për të provokuar zjarre. Pra nuk jemi te zjarre spontane, zjarre aksidentale, po zjarre të qëllimta për të liruar sipërfaqe, e cila pastaj do të destinohet, aq më tepër që kemi dhe paketën e maleve e cila në një farë mënyre nxiti këtë uri, këtë etje, për t'i qepur kodrave dhe maleve, ku ndodhet dhe mbulesa më e madhe pyjore dhe kullosore e Shqipërisë, dhe për t'i bërë ato si fushat që i kemi mbushur me beton.
Prandaj rastësisht e përmenda, atëherë i qepeshin për t'i bërë si fushat se atëherë qanë fushat, ju e dini si ishte gjendja me ushqimin e popullit. Por kini parasysh, praktikisht janë disa faktorë. Në radhë të parë, nuk ka metodë më efikase dhe më të shpejtë për të krijuar terren për investime për parqe fotovoltaik, për ndërtime resortesh, sesa djegia. Mbaron punë për një kohë të shkurtër. Pra një djegie e provokuar, krijon një sipërfaqe të boshatisur, e cila pastaj e humbet destinacionin fillestar, pra pyll dhe kullotë sepse nuk ka faktikisht, dhe i jep dorë qeverisë për ta ndryshuar destinacionin dhe për ta vënë në dispozicion.
Prandaj ky është faktori kryesor. Ka dhe faktorë të tjerë, ki parasysh, pavarësisht se digjet një pyll dhe cilësia e trupave të zjarrit bie sepse një pjesë e tyre karbonizohen, përsëri mbetet një sasi goxha e madhe e cila mund të hidhet në treg. Pra praktikisht pritet ajo lëndë drusore dhe përsëri përdoret, ndodh ajo për qëllime ndërtimi apo për qëllime përdorimesh për arsye shtëpiake. Pra digjen pyjet për t'u përdorur ai material. Nga ana tjetër pastaj ekziston dhe një faktor tjetër. Djegie e provokuar, e nxitur në mënyrë që pastaj justifikohen ato fonde emergjente, për ndërhyrje emergjente, sepse kuptohet nuk ke kohë të bësh as hapje tenderash, as prokurime, por do kontraktosh shpejt shërbime avionësh, zjarrfikësash, aq më tepër që nuk ka dhe mjete dhe do të jesh i detyruar të bësh një, një blerje me nxitim.
Pra praktikisht krijohet edhe një mundësi, një moment i përshtatshëm abuzimi. Pikërisht, fondet që janë në krizë normalisht justifikohen që të bëhen me prokurime të drejtpërdrejta dhe me prerje, pa procese garash apo tenderimesh. Pra janë disa faktorë që në Shqipëri dominojnë dhe na çojnë në këtë realitet që pavarësisht se ne kemi mbulesën më të ulët kullosore dhe pyjore, shkaktojmë proporcionalisht dëmin më të madh ambiental, ekonomik, në raport me fqinjët dhe në raport me Europën. Thashë, jemi 30 herë më tepër proporcionalisht sesa dëmet që kanë shkaktuar zjarret në Europë. Dhe kjo është një situatë dramatike.
Dëm, dëm, 30 herë më shumë dëm nga zjarret në Europë, proporcionalisht me sipërfaqen që zjarri ka prekur.
© SYRI.net