E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Banorët e Marinzës sërish protestë kundër “Bankers Petroleum”: Ose të na paguajnë qiranë e tokës, ose të largohet kompania

Ilustrim · Vizion Plus

Protesta e banorëve të fshatrave të zonës naftëmbajtëse të Marinzës është zhvendosur këtë mëngjes përpara sheshit satelit 3 të kompanisë Bankers Petroleum. Pas protestës së dy ditëve më parë pranë zyrave në vendburim, ku nuk pati asnjë negociatë me përfaqësuesit e kompanisë, banorët kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar aktivitetin në sheshet naftënxjerrëse.

Siç kishin paralajmëruar, protestuesit janë mbledhur sot para sheshit satelit 3 dhe kanë hyrë me forcë brenda ambienteve të tij, në përpjekje për të ndaluar punën. Ata kundërshtojnë përgjysmimin e vlerës së qirasë së tokës, nga 4 milionë lekë për dynym në 2 milionë lekë.

Banorët thonë se prej dy vitesh kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh dhe paralajmërojnë se protesta do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Do bëjmë ç’është e mundur, kemi dy vjet që po na tallin. Naftë ka shumë, ai thotë ‘jam me humbje’. Ti vetë erdhe në tokën time, tani thonë ‘nuk më del hesap’. Unë me atë tokë ushqehem”, u shpreh një prej banorëve.

Një tjetër protestues kërkon që, nëse kompania nuk pranon të paguajë qiranë, toka t’u kthehet pronarëve në gjendjen e mëparshme.

“Kërkojmë që të na hapet porta, punonjësit që janë brenda të dalin jashtë. Sot e tutje do kalojë gjithsecili te pronat e veta. Mos të mendojnë se do vijmë një orë e do ikim. Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund. Ose të na paguajë, ose të largohet kompania”, deklaroi një tjetër banor.

“Këtu kam 1 hektar tokë. Ai ose të paguajë…ai ka dhe gurin dhe arrën. Ne s’kemi…shteti nuk është shtet”, thotë një banor tjetër.

Protestuesit shprehen të vendosur të vijojnë bllokimin e aktivitetit, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për zgjidhjen e konfliktit mbi vlerën e qirasë së tokave.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh