VIDEO/ Sherri me kamarierin që për fat nuk u kthye në masakër. Me kallash e pistoletë brenda në lokal...

09:07, 10/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Elton Qyno - Syri.net/

Një konflikt i lindur mes një kamarieri dhe dy vëllezërve, Elidon dhe Florjan Gjeloshi, thuajse është kthyer në tragjedi në fshatin Gomsiqe e Re në Velipojë.

Kamarieri ka njoftuar njerëzit e afërt të tij dhe më pas në ambjentet e lokalit “Arval”, kanë mbërritur 3 persona me një “BMW X5” me targa angleze. Dy nga 3 personat kanë qenë të armatosur, ku njëri dallohet të jetë me automatik dhe tjetri me një pistoletë.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në pasditen e 6 shtatorit 2026, ku fatmirësisht nuk ka pasur viktima apo qoftë dhe të lënduar. Në pamjet filmike të siguruara nga nga gazetari Elton Qyno, dallohen qartë 3 personat, ku dy prej tyre hyjnë të armatosur në ambientet e lokalit.

Klientët që qëndrojnë aty fillojnë të panikosen dhe më pas largohen me shpejtësi, për t'i shpëtuar një përplasjeje me armë. Njëri nga personat që shfaqet në kamerat e sigurisë të lokalit është identifikuar si shtetasi Klevin Nikolli.

Tashmë ky i fundit, së bashku me dy personat e tjerë që shfaqen në këtë video të transmetuar nga “Syri Tv”, janë identifikuar nga policia dhe shpallur në kërkim policor.

Ndërsa materiali hetimor kundër tyre ka mbërritur në prokurorinë e Shkodrës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” dhe “Kanosjes me armë”.

Në rrëfimin që ka bërë në policinë e Velipojës, pronari i lokalit Valter Përndrecaj, ka sqaruar se në momentin e ngjarjes ka qënë duke qëndruar në ambientet e lokalit të tij që quhet “Arval” në qendër të fshatit Gomsiqe e Re, Velipojë.

Teksa ishte duke qëndrua ai tregon se: “…kam parë një moment se nga një automjet tip BMW X5 me targa angleze, kanë zbritur 3 persona, ku njëri nga ata, e njoh si shtetasin Klevin Nikolli, i cili kishte në dorë një si armë zjarri kallash AK-47, i cili ka zbritur dhe ka ardhur drejt meje. Personi tjetër ka qenë një person që unë e njoh vetëm me emrin Gentjan, nuk e di mbiemrin, dhe ky kur ka zbritur nga mjeti dhe ka hyrë në lokal ka nxjerrë nga brezi një si armë zjarri pistoletë, nuk e di çfarë tipi…”- ka treguar pronari i lokalit Valter Përndrecaj.

Më tej dëshmitari kryesor, tregon se: “…në këtë moment unë kam shkuar përballë shtetasit Klevin Nikolli ku kam kapur armën e këtij personi AK-47, dhe tek po shtyhesha me të për ta nxjerrë nga lokali, i kam hequr karikatorin, dhe kam bërë një karikim të armës, por nuk e kam vënë re nëse kishte plumb në gojë…”.

Sipas rrëfimit të pronarit të lokalit ai i ka marrë armën “AK-47” nga dora dhe nuk e di kujt ja ka dhënë, pasi siç thotë ai ishte i frikësuar.

“…por në atë moment Klevin Nikolli, ka nxjerrë nga brezi një armë tjetër tip pistoletë, të cilën e ka drejtuar nga personat me të cilët kishte bërë fjalë që unë i njoh me emrat Elidon Gjeloshi dhe Florjan Gjeloshi, dhe janë klienta në lokalin tim…”- ka treguar dëshmitari.

Më tej siç duket dhe në pamjet filmike këta persona janë shpërndarë nga lokali dhe pas disa momenteve ka shkuar policia e Velipojës, duke nisur kryerjen e veprimeve hetimore.

Sipas hetimeve të kryera ngjarja në fjalë lidhet me një konflikt që kishte ndodhur 1 orë para shfaqjes së personave me armë, ku vëllezërit Elidon dhe Florjan Gjeloshi, janë konfliktuar me kamarierin e lokalit “Arval” në Velipojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco