Virusi i Nilit, Dasho: Testimi i kontakteve nuk mjafton, mund të ketë të infektuar të tjerë

09:22, 10/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype në Syri TV, Erion Dasho, mjek në Gjermani, ka komentuar rastin e konfirmuar të virusit të Etheve të Nilit në Korçë, duke theksuar se testimi i familjarëve dhe personave të kontaktit nuk është i mjaftueshëm për të përjashtuar përhapjen e virusit.

Dasho sqaroi se Ethet e Nilit nuk transmetohen nga personi te personi dhe se, nëse një qytetar është infektuar nga pickimi i një mushkonje në një hapësirë publike, siç besohet të ketë ndodhur në Korçë, e njëjta mushkonjë ose mushkonja të tjera të infektuara mund të kenë pickuar edhe persona të tjerë.

Ai theksoi se për këtë arsye nuk mund të thuhet se situata është nën kontroll vetëm duke testuar një numër të caktuar kontaktesh.

Dasho vuri në dukje edhe vështirësitë në diagnostikimin e virusit, pasi periudha gjatë së cilës ai gjendet në gjak është shumë e shkurtër.

Ai tha se nuk kishte informacion të plotë mbi testet e përdorura nga Instituti i Shëndetit Publik, por vlerësoi si të besueshme rezultatet e raportuara nga institucionet.

Paralelisht, mjeku kërkoi qetësi nga qytetarët, duke theksuar se këtë vit Shqipëria ka vetëm një rast të konfirmuar dhe se me rënien e temperaturave pritet të ulet edhe numri i mushkonjave.

Megjithatë, ai solli në vëmendje vështirësinë e gjurmimit epidemiologjik dhe nevojën për kujdes, sidomos pas situatës së dy viteve më parë, kur Shqipëria pati mbi 100 raste dhe humbje jete.

Pjesë nga intervista:

Fatmirësisht shumë pak, ose aspak do të themi në këtë moment që flasim. Sepse jemi në përfundim të sezonit të verës, ku edhe mushkonjat që janë vektori që e transmeton sëmundjen sa vijnë e pakësohen, dhe normalisht edhe nga pikëpamja epidemiologjike, kur vjen shtatori, tetori, numri i rasteve dhe në vendet që janë problem në Europë siç janë Italia, Spanja, Greqia, që janë vende ku raportohet një numër i madh i rasteve, në këtë periudhë numri i rasteve sa vjen e bie.

Në Shqipëri fatmirësisht këtë vit patëm vetëm një rast të konfirmuar dhe nuk patëm situatën si ajo e dy viteve më parë, ku kishim disa dhjetëra raste, madje dhe humbje jete. Në këto kushte, duhen qetësuar qytetarët që rreziku që vjen në këtë sezon virozash verore, sepse jemi në prag të sezonit të virozave dimërore tashmë, është minimal dhe qytetarët duhet të jenë pa panik, por sigurisht me kujdes për të mbrojtur veten nga ato masa që besoj do të kemi rastin t'i diskutojmë gjatë zhvillimit të bisedës.

Atëherë, një përmbledhje fare e shkurtër për qytetarët që na dëgjojnë dhe për t'i sqaruar ata, është një rikujtim besoj, sepse shumë kolegë kanë folur këto ditë për virusin e etheve të Nilit. Pra, është një virus i cili ka si rezevuare shpendët. Janë disa qindra lloje shpendësh të cilët preken nga ky virus. Disa prej tyre në forma shumë të rënda siç janë sorrat, korbat, laraskat, të cilat kanë edhe ngordhje masive kur preken nga virusi, kurse disa të tjerë, siç mund të jenë pulat ose siç mund të jenë shpendët shtëpiakë, preken nga virusi dhe kanë shumim të virusit në organizmin e tyre, por fatmirësisht pa ngordhje dhe pa dëme masive. Kur këto shpendë pickohen nga mushkonjat, mushkonjat kanë aftësinë që virusi të shumohet në traktin e tyre respirator dhe në gjëndrat e pështymës së mushkonjës dhe bëhen mbartës të virusit.

Dhe kur mushkonjat pastaj pickojnë gjitarët, ku bën pjesë edhe njeriu, këtu në varësi të qenies e cila ekspozohet ndaj virusit, ka edhe zhvillime të ndryshme. Ka në përgjithësi disa lloj kafshësh të cilat preken jashtëzakonisht rëndë, kanë edhe ato ngordhje masive nga virusi, kurse tek njerëzit situata zhvillohet në këtë formë: Pjesa më e madhe, rreth 80%, nuk zhvillojnë asnjë lloj simptome, e kalojnë pra në mënyrë asimptomatike.

Nga pjesa tjetër, zhvillohen simptomat që ju e thatë shumë mirë në insert, mos të përsërisim veten, të një viroze të zakonshme, ndërsa fatkeqësisht 1% zhvillojnë sëmundje me komplikacione në tru dhe në cipat e trurit, meninge. Në këta pacientë zhvillohet ose meningjiti ose encefaliti nga virusi i etheve të Nilit, dhe këto janë dhe format më të rënda klinike ku virusi dëmton pra trurin dhe meninget. Shfaqet me dhimbje të forta koke, me konfuzion, me humbje të ndërgjegjes, me konvulsione, dhe fatkeqësisht një pjesë e këtyre rasteve përfundojnë edhe me humbje jete, sepse siç e thatë shumë mirë dhe ju në insert, nuk ka një trajtim specifik për virusin, që të bëjë që personat e prekur të shërohen dhe të mos kenë probleme dhe të mos kenë ecuri drejt humbjes së jetës.

Po, këtu nuk kam informacion të plotë se çfarë testesh janë përdorur sepse virusi i etheve të Nilit është goxha i vështirë për t'u zbuluar. Pra përdoret zakonisht testi i antitrupave i cili jep rezultate pozitive nga dita e tretë deri në dy javë pas infektimit. Testi PCR i cili përdoret rëndom tashmë për viruset, në rastin e virusit të etheve të Nilit pothuajse është i pamundur, sepse ka një periudhë shumë të shkurtër gjatë së cilës virusi është prezent në gjak, pra viremia zgjat shumë pak. Në këto kushte nuk kam informacion të plotë tani për të dhënë se çfarë metodash testimi kanë përdorur kolegët e Institutit të Shëndetit Publik, por gjithsesi unë i njoh, kam punuar prej vitesh me ta, janë profesionistë të shkëlqyer, kështu që besoj rezultatet që kanë raportuar janë rezultate të besueshme dhe fakti që një numër i madh personash kontakti me personin e infektuar janë testuar, sigurisht është pozitiv. Por duhet të bëj një parantezë këtu, pra në qoftë se është infektuar një person, është shumë e vështirë që të ndjekësh në rastin e sëmundjes së etheve të Nilit, ato rastet e kontaktit.

Sepse virusi i etheve të Nilit nuk ka transmetim nga personi te personi. Kështu fakti që teston familjarët nuk do të thotë se ke, domethënë nga ana epidemiologjike, sepse personi, siç u raportua të paktën, besohet se është infektuar nga pickimi i një mushkonje në park dhe në atë park mund të ketë shkuar e gjithë Korça për t'u shplodhur dhe për të kaluar ca orë në hijen e pemëve të parkut. Në këto kushte, është shumë e vështirë që në rastin e virusit të etheve të Nilit, të thuash testuam 30 veta dhe jemi të qetë. Sepse ajo mushkonjë e cila ka infektuar personin në fjalë, mund të ketë pickuar edhe shumë persona të tjerë të cilët janë shplodhur në atë park, dhe me të cilët është e pamundur të bësh një lidhje epidemiologjike me personin në fjalë. Në këto kushte lajmi i mirë është që kemi vetëm një rast të konfirmuar. Në informacionin që unë kam, personi nuk ka patur forma të rënda të sëmundjes, të paktën nuk është raportuar për ndonjë përkeqësim të gjendjes, kështu që i uroj të shkuara dhe uroj të jetë shëruar plotësisht tani që ne flasim. Dhe fakti është që nuk kemi situatë si ajo e dy viteve më parë, ku duhet të kemi patur një përhapje masive nëpërmjet mushkonjave dhe rastet e konfirmuara në qoftë se nuk gaboj kanë qenë mbi 100.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco