Një 31-vjeçar është arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht nga policia në Korçë pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet me dy persona. Sipas informacioneve, gjatë momentit të ndjekjes, pasagjeri ka hedhur nga automjeti një qese që përmbante një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Pas kontrollit fizik, efektivët e Policisë i kanë gjetur 31-vjeçarit edhe një thikë, të cilën e mbante me vete.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit nuk u është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndaluar, duke bërë që efektivët ta ndiqnin mjetin.
Pas ndjekjes, uniformat blu kanë konstatuar qesen me lëndën narkotike, ndërsa gjatë kontrollit është sekuestruar edhe arma e ftohtë.
Në vijim të veprimeve hetimore, strukturat e hetimit arrestuan 31-vjeçarin E.B., banues në Vlorë, ndërsa drejtuesi i automjetit, E.S., banues në Korçë, është proceduar në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.













