Zjarri në malin e Tërbunit në Pukë vijon prej pesë ditësh me intensitet të lartë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqet e pyllëzuara me pisha. Banorët shprehen të shqetësuar për situatën dhe thonë se flakët kanë shkrumbuar mbi 60% të sipërfaqes së prekur.
Zjarri ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të pyllit me pisha, ndërsa banorët kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri me helikopter për të ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive. Ndërkohë, në terren vijojnë të punojnë forcat zjarrfikëse të Pukës dhe Vaut të Dejës, të cilat po luftojnë të izolojnë flakët dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Përveç dëmeve në sipërfaqen pyjore, banorët ngrenë shqetësimin edhe për ndotjen e ajrit. Re të dendura tymi kanë mbuluar Pukën dhe fshatrat përreth, duke vështirësuar situatën dhe duke krijuar më shumë shqetësim për ta.
Paraprakisht dyshohet se zjarri në malin e Tërbunit mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Ndërkohë, autoritetet vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve.
