I ftuar në një lidhje Skype në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, Arbër Hitaj, gazetar, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi kompaninë “Kayo” dhe përfshirjen e një subjekti privat në prodhimin dhe eksportin e municioneve shqiptare.
Hitaj e cilësoi si të diskutueshme zgjedhjen e një privati për një aktivitet strategjik që mund të realizohej nga shteti shqiptar, duke kërkuar transparencë mbi fondet dhe asetet publike që do t’i kalojnë kompanisë.
Gazetari tha se problemi nuk është krijimi i industrisë së armatimit në Shqipëri, por mënyra se si po ndërtohet ky projekt dhe mungesa e transparencës mbi përfitimet e privatit.
Ai kërkoi që çdo dyshim për korrupsion apo shkelje ligjore të hetohet dhe të bëhet publik.
Hitaj u ndal edhe te hetimet e SPAK që lidhen me Belinda Ballukun, Igli Taren dhe Arbër Abazin, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme të japë shpjegime më të qarta për marrëdhëniet mes personave të përfshirë dhe arsyen e hetimit të tyre.
“Përse është zgjedhur Igli Tare? Cili është raporti mes tyre?”, pyeti Hitaj, duke kërkuar transparencë për atë që ai e konsideron një çështje me shumë pikëpyetje.
Në të njëjtën kohë, gazetari deklaroi se mazhoranca nuk duhet të ofrojë mbrojtje politike për askënd nëse dalin akuza konkrete për korrupsion, duke theksuar se edhe Balluku duhet të përballet me drejtësinë nëse ndaj saj ka prova dhe akuza direkte.
Pjesë nga intervista:
Që në fillim, kur lindi ideja e Kayo-s ishte diçka që pati shumë pikëpyetje. E para sepse baza e saj u krijua në një godinë televizioni, pra që aty filloi me shumë polemika. U larguan kolegët e njësisë 24, Beftas dhe u instalua ajo që do të jetë kompania që do prodhojë municione, do furnizojë ushtrinë shqiptare dhe do eksportojë. Të paktën ky është një nga ato që ka në ligj dhe në organikën e saj Kayo. Problemi nuk është që krijohet një kompani e cila do prodhojë municione, sepse po të shikosh industria e armatimit në rajon, në Serbi për shembull është shumë e zhvilluar, madje ata furnizojnë dhe Izraelin, furnizojnë dhe vende të tjera, kanë furnizuar edhe Ukrainën me municione. Pra shesin kudo ku munden, sepse nuk janë pjesë e NATO-s edhe nuk kanë ato embargot që i kanë vende si Shqipëria që është pjesë e NATO-s. Diskutimi është tani, përse zgjidhet një shtetas izraelit kur kjo mund të ishte një sipërmarrje e bërë e gjitha nga shteti shqiptar?
Dhe unë po ju jap një informacion: kam komunikuar me pjesëtarë që janë të komunitetit hebre në Shqipëri dhe të gjithë më thonë që rëndom ky shtetas është një matrapaz i vërtetë, dhe ata janë të habitur si ka mundësi që e zgjodhi zoti Rama këtë. Pra, njihet dhe në komunitetin hebre në Shqipëri, komunitet i vogël, dihet nga të gjithë që është matrapaz, e ata janë të habitur përse zgjidhet ky individ. Pra, që këtu ka shumë pikëpyetje, prandaj them ideja për të krijuar një kompani e cila do të eksportojë armatime, do krijojë një bazë për prodhimin e municioneve në Shqipëri është një ide e mirë, po përse do të duhet të ketë gjithmonë një gjë që mund ta bëjë shteti shqiptar, aq më tepër që po flasim për një qeverisje të majtë, nuk po flasim për një qeverisje të djathtë e cila partneritetin publik-privat e ka dhe në qasjen e saj ideologjike, përse do të duhet që gjithë kjo energji, gjithë këto fonde, gjithë këto asete publike të shkojnë te një kompani private.
Dhe ky është një, ky është një gabim i madh mendoj unë. Dhe nëse ka korrupsion duhet patjetër të zbulohet. Nëse ka trafik armatimesh dhe kjo duhet të zbulohet, unë nuk besoj që ka trafik armatimesh, për një arsye, sepse hapësira ajrore shqiptare është shumë e monitoruar, si të gjitha hapësirat ajrore. Pra, nuk është e lehtë që municionet shqiptare të shkojnë në një vend i cili është një vend armik.
Pra në qoftë se ka eksport armësh, që unë nuk besoj që të jemi në këtë nivel, ka qenë dikur me MEICO-n, në qoftë se e mbani mend, sepse ishte një kërkesë e ushtrisë amerikane, shkonin municione në Afganistan. Ka qenë edhe gjatë viteve '90, madje kallashnikovët shqiptarë janë zbuluar deri në Jemenin e largët. Pra Shqipëria, për shkak edhe të asaj trashëgimie nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe nga periudha e diktaturës, ka patur shumë armatime. Dhe gjatë viteve '90, ato që ishin të amortizuara, filloi dhe i eksportonte. Deri këtu nuk ka asnjë problem, ka shitur armë siç bën çdo shtet tjetër, ka marrë paratë, çdo gjë është në rregull. Diskutimi është këtu, përse zgjidhet një matrapaz dhe përse një gjë që mund ta bëjë shteti shqiptar, i jepet një përqindje e madhe një privati? Dhe mbi të gjitha, përse nuk ka transparencë? Dhe nuk themi se, e tha zoti Peka me të drejtë, kemi të bëjmë me çështje të sigurisë kombëtare. Pra diskutimi nuk është që këtu duhet të dalin të gjitha në dritën e diellit dhe t'i marrin vesh gjithë konkurrentët.
Mirë, te armët këtë kisha. Pra, përse të mos e bëjë shteti shqiptar, përse do duhet të ketë një matrapaz, dhe përse do të duhet të jetë e gjitha në një hije dhe privati të fitojë më shumë se shteti. Pikëpyetjet e mia të mëdha.
Tani, te zonja Balluku unë mendoj që SPAK-u ka ardhur momenti të jetë më transparent dhe më i hapur me publikun. Cila është lidhja që ka zoti Igli Tare, me zonjën Belinda Balluku, me Arbër Abazin? Sepse zoti Igli Tare është një figurë e nderuar e futbollit shqiptar dhe ndërkombëtar, dhe nuk e ka problem që të blejë një vilë në Palasë, pavarësisht çmimit. Pra zoti Tare nuk është një njeri varfanjak, është një njeri që ka qenë ndër të mirëpaguarit, drejtori sportiv i Lazios, drejtori sportiv i Milanit, pra një nga ekipet më të mëdhaja në botë.
Tani duhet të diskutohet ose duhet të dalin disa, nuk po them fakte, por duhet të ketë një komunikatë për shtyp që të sqarohet se kush është lidhja. Përse SPAK dyshon që pas vilës së Igli Tares... si e thashë, një njeri i cili nuk e ka problem, të paktën me aq sa kemi parë në internet me pagat që ka patur, të marrë një vilë të shtrenjtë kudo ku do ta marrë... Pra duhet të dalë një informacion, sepse dhe ne jemi në paqartësi deri diku. Se kush është lidhja e njërit me tjetrin? Çfarë i ka premtuar? Përse është zgjedhur Igli Tare? Cili është raporti mes tyre? A është i përfshirë në ndonjë çështje tjetër? Dhe kjo pastaj qartëson shumë mirë edhe ne, edhe opinionin publik. Sepse unë për shembull, mua më vjen shumë keq kur shikoj Igli Taren që shkon, paraqitet në SPAK.
Patjetër, një personalitet botëror. Pra flasim për një figurë i cili e ka nderuar Shqipërinë. Tani duhet qartësi edhe nga drejtësia, kush është roli i tij në këtë mes? Dhe përse merret i pandehur zoti Igli Tare dhe nuk ka një kërkesë për arrestimin e zonjës Balluku nëse është ajo e cila fshihet pas gjithë kësaj skeme? Pra ka shumë pikëpyetje që unë nuk i kuptoj për momentin. Ajo që është vijë e kuqe mendoj unë, dhe mazhoranca nëse ka akuza për korrupsion nuk duhet të ofrojë në mënyrë kategorike mbrojtje politike për asnjë, as për zonjën Balluku nëse do ketë kërkesa dhe akuza direkte për korrupsion.
© SYRI.net