Ka nisur mëngjesin e sotëm rreth orës 10:00, seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit në lidhje me çështjen për pengim të drejtësisë, ku fjalën hapëse e ka mbajtur kryeprokurorja Kimberly West e cila u shpreh e bindur se provat e mbledhura do të deklarojnë se ish-presidenti i Kosovës është fajtor në këtë rast.
Duke treguar pjesë nga inçizimet e siguruara, West zbulon se si sipas saj Thaçi ka kërkuar që dëshmitarët e tij të dëshmojnë jo për akuzat e sulmeve që ai akuzohet, por të flasin për gjërat që ish-presidentit të Kosovës i leverdisin.
Teksa zbuloi biseda të bëra mes Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, West shton se këto përgjime dëshmojnë qartazi pengim të drejtësisë shkruan newsbomb.al.
“Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kushi ishin partnerë të devotshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme garantuan Thaçin Psh: Fazliu i tha Thaçit që do të bëhet. Thaçi i thotë Fazliut: A po i shkruan këto? A po i shënon? Fazliu i përgjigjet: Po po Thaçi: Se do i harrosh. Fazliu: Jo jo se nuk i harroj. Deklarata e dëshmitarëve u printua në objektet e paraburgimit. Kilaj-Thaçit i tha: Këto janë pyetjet dhe këto përgjigje. Më vonë i tha: Ja këtu duhet korrigjuar, merre të korrigjohet se kemi të tjera. Sulmet ndaj operacionit të sigurt të sistemeve ligjore janë sulme që u bëhen të drejtës dhe të mirës. Ata që bëjnë këto sulme nuk duhet të vendosen në pikëpyetje se kjo zyrë nuk do të marrë masa për të mbrojtur dëshmitarë dhe integritetin e sistemit gjyqësor” tha West në fjalën e saj.
Pas Westit mori fjalën një tjetër prokuror i Hagës, Joshua Hafetz i cili duke qëndruar në të njëjtën linjë si parafolësja, theksoi se Hashim Thaçi ka shfrytëzuar takimet në paraburgim, duke pretenduar se ish-presidenti i Kosovës ka nxjerrë informacione konfidenciale, raporton newsbomb.al.
“Ne thamë që do të paraqesim provat që vërtetojë çdo akuzë dhe ne e bëmë. faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta dhe janë të shumta. Për 4 muaj Hashim Thaçi përdori vizitat në paraburgim për të penguar drejtësinë, ai nxorri informacione konfidenciale dhe shkeli rregullat e Gjykatës. Të bashkë-akuzuarit, shokë të vjetër të Thaçit iu bashkuan atij në këtë mes.
Synimi ishte i thjeshtë: Thuaj dëshmitarëve se çfarë duhet të thonë kur të vijnë në gjykatë, diçka në favor të zotit Thaçi. Të tregonin narrativën e Thaçit në favor të tij. Që do të thotë të tregonin versionin e tij të ngjarjeve, në mënyrë që të minimizonin akuzat e ngritura për krimet. Shembujt që mora tregon saktësisht thelbin e kësaj çështje. Ajo që qëndron në këtë mes është që dëshmitarët duhet të thonin e të bënin atë që thonin dëshmitarët” tha Joshua Hafetz në fjalën e tij.
Sakaq, në nisje të seancës u njoftua se gjyqi i sotëm ndaj Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë, do të vijojë për tre orë, gjatë të cilave do të ketë dhe ndërprerje për pushim. Pushimi i parë u njoftua se do të bëhet në orën 11:00 për të vazhduar sërish në mesditë.
Megjithatë, do të jenë prokurorët dhe avokatët ata që do të thonë fjalët e fundit për këtë çështje.

