Një automjet luksoz tip “Rolls-Royce” është bllokuar në Lezhë, pas kontrolleve të kryera nga strukturat e Policisë së Lezhës.
Sipas policisë, kontrolli është kryer nga strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Policinë Rrugore.
Pas kontrollit të automjetit, janë kryer verifikime për origjinën, historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit, si dhe për dokumentacionin e pronësisë.
Në përfundim, automjeti është bllokuar administrativisht për mungesë dokumentacioni. Ndërkohë, ka nisur edhe një hetim pasuror për pronarin e mjetit, shtetasin F. M., banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Hetimi synon të verifikojë edhe burimin e të ardhurave me të cilat është blerë automjeti.
Kontrollet dhe verifikimet për automjetet luksoze pritet të vijojnë në kuadër të procedurave për evidentimin e pasurive që dyshohet se mund të kenë burim kriminal.













