Strukturat e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër kanë goditur këtë të mërkurë dy raste të kontrabandës me mallra në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy autobusë të linjave ndërkombëtare, shërbimet e policisë kanë zbuluar sasi të konsiderueshme mishi dhe peshku, që dyshohet se ishin futur kontrabandë në territorin shqiptar.
Sipas njoftimit të policisë, në rastin e parë gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës Athinë-Gjirokastër, i cili drejtohej nga shtetasi A.B., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, u gjetën dhe u sekuestruan 685 kilogramë mish viçi, i prerë në formë bërxollash.
Për këtë rast, drejtuesi i autobusit u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.
Rasti i dytë u evidentua gjatë kontrollit të autobusit të linjës Athinë-Shkodër, me drejtues shtetasin K.M., 46 vjeç, banues në Tiranë. Në autobus u gjetën katër kuti kartoni, brenda të cilave kishte 82 kilogramë e 900 gramë peshk, që dyshohet se ishte futur kontrabandë në territorin shqiptar. Ky shtetas akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.
Sasitë e mishit dhe peshkut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organeve kompetente për vijimin e hetimeve.
Njoftimi i Policisë:
Gjirokastër/Vijojnë me intensitet të lartë, kontrollet dhe verifikimet, në kuadër të planit të posaçëm të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale të kontrabandimit të mallrave nga Greqia.
Transportonin me autobusë, në cenim të kushteve higjieno-sanitare, sasi produktesh shtazore (mish dhe peshk) të kontrabanduara nga Greqia, arrestohen 2 shtetas.
Sekuestrohen produktet e konstatuara nga skaneri në vijën e dytë të kontrollit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Kakavije dhe me specialistët e AKU Gjirokastër, në vijim të zbatimit të planit të posaçëm të masave, që synon goditjen e kontrabandës dhe rasteve të cenimit gjatë transportimit, të parametrave të sigurisë ushqimore, finalizuan operacionin e koduar “Ngarkesat”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe K. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrollet e kryera me skaner, në vijën e dytë të kontrollit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në 2 autobusët për pasagjerë, të linjave "Athinë-Gjirokastër" dhe "Athinë-Shkodër", që drejtonin të arrestuarit, u gjetën 31 pako me produkte shtazore (mish dhe peshk) që po transportoheshin në cenim të kritereve higjieno-sanitare. Produktet dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia, pasi nuk ishin të pajisura me dokumentacion tatimor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
