Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me takimin e zhvilluar këtë të enjte mes tij dhe të ngarkuarës me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka bërë me dije se gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me axhendën e së djathtës në Kuvend dhe prioritetet që kjo parti ka.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar dhe strategjik i Shqipërisë. Jemi krenarë që qëndrojmë së bashku si aleatë në NATO dhe të vendosur për të vijuar forcimin e partneritetit tonë të ngushtë dhe të qëndrueshëm”, shkruan Bardhi ndër të tjera pas këtij takimi me zyrtaren amerikane, takim i cili ka ardhur vetëm dy ditë pas nisjes së sesionit të ri parlamentar.
Postimi i Bardhit:
Në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar, pata kënaqësinë të mirëpres të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, znj. Nancy VanHorn, me të cilën diskutuam mbi aktualitetin e axhendës së Kuvendit, prioritetet që kemi përpara dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar dhe strategjik i Shqipërisë. Jemi krenarë që qëndrojmë së bashku si aleatë në NATO dhe të vendosur për të vijuar forcimin e partneritetit tonë të ngushtë dhe të qëndrueshëm.

