AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Pas vonesave dhe polemikave, gjyqi i Thaçit po shkon drejt fundit

Pas më shumë se pesë vitesh në paraburgim në Hagë, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre drejtues të tjerë të UÇK-së gjatë luftës, së shpejti do të mësojnë vendimin për ta.

Xhorxhina BamingaXhorxhina Bami
3 minutes më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 10 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Hashim Thaçi në daljen e tij të parë për akuzat për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, 8 dhjetor 2024. Foto: Dhoma e Specializuar e Kosovës/Live Updates.

Një vendim mbi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të pandehurve të tjerë të profilit të lartë do të shpallet në Hagë më 16 shtator.

Gjyqi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku akuzohen gjithashtu ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, është shoqëruar me vonesa dhe polemika.

Ai është shoqëruar gjithashtu me protesta të mbështetësve të të pandehurve në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Strasburg dhe Hagë, pasi disa shqiptarë etnikë e konsiderojnë gjykatën të njëanshme ndaj luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së. Gjyqi është shoqëruar me akuza për lajme të rreme dhe gjuhë urrejtjeje, si dhe ka çuar në akuza dhe dënime për kanosje të dëshmitarëve.

“Patjetër që njerëzit do të mblidhen në Hagë. Unë do të jem atje, por deri tani nuk kemi organizuar ndonjë protestë”, tha për BIRN Hysni Gucati, kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Pritet që më 16 shtator shqiptarë etnikë të udhëtojnë drejt Hagës nga e gjithë Evropa për shpalljen e vendimit.”

“Ne besojmë se ata do të shpallen të pafajshëm, pasi nuk janë fajtorë”, tha Gucati.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për përgjegjësi individuale dhe përgjegjësi komanduese për krime të kryera ndaj të burgosurve të mbajtur në objektet e ndalimit të UÇK-së në Kosovë dhe në Shqipërinë fqinje, përfshirë 102 vrasje. Krimet dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, në vitet 1998 dhe 1999.

Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës në nëntor 2020 për t’u përballur me akuzat dhe, së bashku me tre të tjerët, u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku ndodhen që prej asaj kohe. Gjyqi filloi në prill 2023. Të katër janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Në deklaratat përmbyllëse në shkurt, prokurorët kërkuan 45 vjet burg për secilin prej tyre, duke u bazuar në “rëndësinë” e akuzave për krime lufte. Sipas parashtrimit përfundimtar të prokurorisë, “ligji i zbatueshëm për dënimin është Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), i cili përcakton krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit sipas të drejtës zakonore ndërkombëtare dhe vendos kuadrin e dënimeve. Trupi gjykues mund të shqiptojë një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.”

Megjithatë, disa i konsiderojnë dënimet e propozuara tepër të ashpra. Aidan Hehir, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën e Shkencave të Universitetit të Uestminsterit në Mbretërinë e Bashkuar, tha për BIRN se dënimi me 45 vjet burg “nuk do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por është qartësisht i tepruar”. Ai vuri në dukje se serbi i Bosnjës, Radislav Krstiç, u dënua me 35 vjet burg në vitin 2004 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, për ndihmë dhe bashkëpunim në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995.

Ndërmarrje e përbashkët kriminale

Kolazh fotografish të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit gjatë gjykimit të tyre. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/Livestream screenshots.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, se mbajnë përgjegjësi si eprorë për veprat penale në cilësinë e drejtuesve të UÇK-së, si dhe se kanë ndihmuar dhe nxitur kryerjen e krimeve. Sipas akuzave për ndërmarrje të përbashkët kriminale, aktakuza përfshin veprat e “përndjekjes, burgimit, arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës, vrasjes dhe zhdukjes me forcë të personave”.

Ndërsa akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale ka qenë një nga akuzat më problematike me të cilat është përballur gjykata, ajo është parë nga disa shqiptarë etnikë, media dhe avokatë në Kosovë si një sulm ndaj vetë UÇK-së, duke pretenduar se mund të interpretohet si një sugjerim se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale. Kjo ka ushqyer pakënaqësinë dhe zemërimin te shqiptarët e Kosovës, shumë prej të cilëve e konsiderojnë qëndrimin e gjykatës si një fyerje ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së kundër sundimit represiv serb.

Në vitin 2021, Amer Alija, tashmë avokat në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha për BIRN se krimet nuk duhet të interpretohen sikur janë kryer nga UÇK-ja si një entitet i vetëm, sepse “jo çdo ushtar apo pjesëtar i UÇK-së është përgjegjës për krimet e kryera nga një ushtar që nuk ka respektuar rregullat e luftës”. Alija tha se të dyshuarit mund të konsiderohen pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale ose duke “urdhëruar drejtpërdrejt apo duke marrë pjesë në shkelje”, ose përmes mosveprimit – “duke qenë eprorë të ushtarëve dhe duke qenë të vetëdijshëm se… po kryheshin krime lufte”, ndërkohë që nuk ndërmerrnin masa për t’i parandaluar apo ndëshkuar këto krime.

Hehir, profesori, tha për BIRN: “Paraqitja e të akuzuarve si ‘pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale’ është gjithashtu një keqinterpretim i qëllimshëm i rolit të tyre dhe të UÇK-së. Gjykata ka ndjekur një qasje qartësisht johistorike, e cila ka errësuar kontekstin në të cilin ndodhi konflikti, përkatësisht sulmin brutal dhe të koordinuar të qeverisë së presidentit serb Sllobodan Millosheviç kundër popullsisë shqiptare të Kosovës në tërësi.”

“UÇK-ja nuk u shfaq pa një kontekst të caktuar; ajo ishte reagim ndaj diskriminimit të përhapur dhe dhunës së sponsorizuar nga shteti. Dështimi i gjykatës për ta pranuar këtë ka bërë që të akuzuarit të paraqiten në mënyrë të pasaktë si kriminelë të dhunshëm dhe të motivuar nga interesat personale,” shpjegoi ai.

Në deklaratat e tyre përmbyllëse, të katër të pandehurit shprehën të njëjtën pikëpamje. Ata këmbëngulën se iu bashkuan “një organizate të një populli që po mbronte veten nga një shtet agresor”, siç u shpreh Thaçi. Një tjetër i pandehur, Rexhep Selimi, e akuzoi gjykatën se “po përpiqet qëllimisht të ndërhyjë në ndryshimin e fakteve historike… thjesht po përpiqet të rishkruajë historinë”.

Përgjegjësia komanduese

specialist prosecutor kim west portrait
Prokurorja e Specializuar Kim West. Foto: Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Prokuroria është përpjekur të provojë se, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të katër burrat mbanin përgjegjësi për luftëtarët e niveleve më të ulëta që kryen krime. Mbrojtja ka argumentuar se ishin komandantët e zonave ata që shpesh kishin kompetencat vendimmarrëse.

Gjatë deklaratave përmbyllëse, prokurori Matt Halling i tha gjykatës se të akuzuarit ishin themelues të UÇK-së dhe se “roli i fortë kolektiv që ata kishin si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm” u jepte atyre pushtet të konsiderueshëm. Ai shpjegoi se të pandehurit i përdorën pozitat e tyre për të avancuar objektivat e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe mbanin përgjegjësi komanduese për krimet e luftëtarëve të niveleve më të ulëta, por edhe përgjegjësi individuale për pjesëmarrjen e tyre në kryerjen e krimeve.

Megjithatë, gjatë gjyqit, dëshmitarë të mbrojtjes, si dhe disa dëshmitarë të prokurorisë, argumentuan se forca guerile nuk kishte një strukturë të mirëfilltë komanduese, siç pretendon prokuroria, dhe se të pandehurit nuk kishin kontroll të plotë mbi luftëtarët në terren.

Ky argument u shpreh nga dëshmitarë të njohur, si ish-zëvendëssekretari amerikan i Shtetit James Rubin dhe komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë nga viti 1997 deri në vitin 2000, Wesley Clark.

Avokati i Thaçit, Pierre Richard Prosper, tha se këta dëshmitarë “erdhën dhe thanë se nuk kishte komandë dhe kontroll efektiv mbi UÇK-në, nuk kishte strukturë politike dhe Thaçi nuk ishte përgjegjës”.

Dëshmi që forcuan argumentet e mbrojtjes

Avokati mbrojtës Luka Misetiç me Hashim Thaçin (majtas në skaj) në gjykatë. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/Livestream.

Në total, në gjykatë u dëgjuan 134 dëshmitarë, prej të cilëve 125 ishin dëshmitarë të prokurorisë, 2 dëshmitarë të Këshillit të Viktimave dhe 7 dëshmuan në favor të mbrojtjes. Përveç tyre, 138 deklarata dëshmitarësh u pranuan vetëm në formë të shkruar.

Në korrik 2024, gjatë një dëshmie publike trejavore, të paprecedentë, dëshmitari i 75-të i prokurorisë, Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, dha dëshmi që forcoi si argumentet e prokurorisë, ashtu edhe ato të mbrojtjes.

Gjatë pyetjeve nga prokuroria, ai shpjegoi strukturën e UÇK-së dhe se komandanti i Shtabit të Përgjithshëm ishte përgjegjës për zëvendësimin e komandantëve të zonave operative dhe për përpjekjet për ta shndërruar UÇK-në në një ushtri të mirëfilltë. Gjatë pyetjeve nga mbrojtja, Zyrapi tha se shpesh Shtabi i Përgjithshëm nuk vihej në dijeni për veprimet e komandantëve të zonave operative dhe se, pavarësisht përpjekjeve, UÇK-ja nuk kishte qenë në gjendje të ushtronte plotësisht kontroll mbi njësitë e saj të niveleve më të ulëta, pjesërisht për shkak të ofensivave serbe.

Disa dëshmitarë të prokurorisë pretenduan se në deklaratat e mëparshme të dhëna para prokurorisë në Hagë, Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut, ose Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX-it, kishin ekzagjeruar provat. Disa prej tyre përfunduan duke mbështetur argumentet e mbrojtjes. Për shembull, gjatë tri ditëve të seancave në nëntor 2023, dëshmitari i prokurorisë Gjergj Dedaj, ish-ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, i tha gjykatës se e kishte “ekzagjeruar” dëshminë e tij të mëparshme para hetuesve.

Ai po i referohej një incidenti të shtatorit 1998. Sipas aktakuzës, Thaçi dhe i pandehuri tjetër me të Rexhep Selimi, së bashku me persona të tjerë, “morën pjesë dhe drejtuan arrestimin, ndalimin dhe frikësimin e 13 anëtarëve të një delegacioni parlamentar që ndodheshin në një vizitë humanitare në Qirez”.

“Po them të vërtetën tani, këto (deklarata të mëparshme)… nuk kanë vlerë”, i tha Dedaj gjykatës më 8 nëntor 2023, duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit nëse kishte gënjyer në deklaratat që u kishte dhënë hetuesve të EULEX-it në vitin 2014.

“Shkelje ligjore”

Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, 4 prill 2023. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/Livestreaming

Kritikët kanë pretenduar shpesh se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shkelur të drejtat e të akuzuarve ose nuk e kanë zbatuar siç duhet ligjin e Kosovës.

Edhe pse ndodhen në Hagë, Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe ekspertët ligjorë kanë theksuar se kërkesa për një dënim prej 45 vitesh burgim tejkalon maksimumin e parashikuar nga ligji i Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë njoftoi në maj se Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ishte drejtuar shteteve që financojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës lidhur me “shqetësimet e ngritura” nga një raport i Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut, BHRC, të Anglisë dhe Uellsit, i porositur nga Avokati i Popullit i Kosovës, mbi “rezervat lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë”.

Sipas raportit të BHRC-së, ndërsa “kuadri formal ligjor i Dhomave është përgjithësisht i qëndrueshëm dhe në shumë aspekte në përputhje me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, shqetësime të rëndësishme lindin në zbatimin e tij praktik”.

Këto shqetësime përfshijnë paraburgimin e zgjatur, kufizimet për lirimin e përkohshëm, pranimin e provave dhe “barazinë e armëve”, një parim juridik që kërkon që të dyja palët në gjykatë të kenë të drejta të barabarta procedurale dhe mundësi të ekuilibruara për të paraqitur çështjen e tyre, pa u vendosur në një pozitë dukshëm të pafavorshme.

Raporti pretendon gjithashtu se, ndonëse DHSK-ja është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, në përbërjen e trupit gjykues ka “mungesë ekspertize mbi të drejtën kushtetuese të Kosovës dhe traditën juridike të Kosovës në përgjithësi”.

Shqyrtimi paraprak i BHRC-së “dokumenton sfida të rëndësishme ndaj garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve – veçanërisht të drejtës për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm”.

Gjykata i ka mohuar këto pretendime, ndërsa Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara nuk ka marrë asnjë vendim në mbështetje të pretendimeve të tilla.

Të katër të pandehurit ndodhen në Hagë që nga nëntori 2020, me një fazë paraprake të gjykimit që zgjati më shumë se dy vjet dhe një proces gjyqësor që zgjati rreth tre vjet.

Gjykata e shqyrtoi paraburgimin e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit 27 herë, ndërsa atë të Selimit 25 herë. Secili prej këtyre vendimeve zgjati më tej periudhën e paraburgimit të të pandehurve.

Alija, avokati për të drejtat e njeriut, shpjegoi se “argumentet e gjykatës për zgjatjen e paraburgimit lidhen kryesisht me rrezikun e pengimit të administrimit të drejtësisë dhe pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët”.

Ai shtoi se, duke pasur parasysh se “gjykimi kryesor tashmë ka përfunduar dhe të gjithë dëshmitarët e propozuar nga palët janë dëgjuar… në përputhje me ligjin dhe rrethanat aktuale, trupi gjykues duhet të shqyrtojë nëse vazhdimi i paraburgimit mbetet i nevojshëm apo nëse mund të zbatohen masa më pak kufizuese për të garantuar praninë e të pandehurve në proces”.

Ai tha se proceset e zgjatura “janë ndikuar gjithashtu nga faza paraprake e gjykimit, gjatë së cilës u zhvillua një numër i madh seancash paraprake. Kjo u pasua nga një proces gjyqësor maratonë, me një numër të konsiderueshëm dëshmitarësh dhe një vëllim të madh provash, ndërkohë që të pandehurit qëndruan në paraburgim gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm vlerësimin e vazhdueshëm dhe individual të proporcionalitetit të paraburgimit”.

Hehir, megjithatë, mendon se “masat e marra për izolimin e të akuzuarve kanë qenë të tepruara”.

“Gjithmonë ka qenë shumë e pamundur që këta persona të gjendeshin papritur në një pozitë për të frikësuar dëshmitarët nëse do të prisnin më shumë vizitorë ose do të lejoheshin të ktheheshin herë pas here në Kosovë. Edhe me kufizimet e rrepta në fuqi, ata do të mund ta organizonin kanosjen e dëshmitarëve nëse vërtet do të donin ta bënin këtë. Prandaj, besoj se kufizimet kishin më shumë gjasa të ishin një masë simbolike – për t’i paraqitur të akuzuarit si jashtëzakonisht të rrezikshëm – dhe një formë ndëshkimi/kanosjeje”, tha ai.

Si u krijuan Dhomat e Specializuara?

Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, hartoi në vitin 2010 një raport ku akuzonte pjesëtarë të UÇK-së për trafikim organesh dhe krime të tjera gjatë luftës së Kosovës. Një vit më vonë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, autorizoi një hetim penal mbi këto pretendime, nën drejtimin e Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së.

Në vitin 2014, task forca arriti në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht pretendimet për trafikim organesh, por kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dhomat e Specializuara u krijuan për të trajtuar këto çështje.

E ashtuquajtura “gjykatë speciale” u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, nën presionin e aleatëve perëndimorë të Prishtinës. Thaçi ishte një nga politikanët që mbështetën krijimin e saj, duke thënë se kjo gjykatë do të dëshmonte se lufta e UÇK-së ishte e drejtë. Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ndodhet në Holandë dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe staf ndërkombëtarë, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar ndërhyrjet apo kanosjen e dëshmitarëve gjatë proceseve gjyqësore.

Etiketa: Dhomat e SpecializuaraGjykata Speciale e KosovësHashim ThaçiJakup Krasniqikadri veseliKosovëkrime lufteRexhep SelimiSerbiaUCK
Hashim Thaçi del në gjykatë për akuzat për pengim të drejtësisë

Pas vonesave dhe polemikave, gjyqi i Thaçit po shkon drejt fundit

12:12 | 10/09/2026
‘Zonë e mbrojtur’: Si u shkrumbuan 700 hektarë pyje midis Pishë Poros dhe Darëzezës

Mijëra hektarë të djegur: Sezoni i zjarreve nxjerr në pah dobësitë sistemike të shtetit

06:53 | 10/09/2026
Belinda Balluku: Aleatja besnike e kryeministrit Rama në qendër të stuhisë politike

Akuzat për korrupsion, SPAK zbulon vilën e dytë të Ballukut

20:20 | 09/09/2026
Dialogu Kosovë-Serbi: Një test për ambiciet gjeopolitike të BE-së

Letër nga Brukseli: Glorifikimi i Mlladiçit vë në provë qëndrimin e BE-së ndaj Vuçiçit

17:41 | 09/09/2026
Përfundon mandati i drejtueses së BKH, Aida Hajnaj

KLP arrin kuorumin, por jo zgjidhjen për garën e Prokurorit të Përgjithshëm

15:53 | 09/09/2026
cover desposable russia ip

Kompanitë fasadë të IP-ve në Serbi e Mal të Zi fshehin gjurmët e ndërhyrjeve kibernetike ruse

12:19 | 09/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.