Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy persona, të cilët dyshohen se kanë kanosur me armë zjarri dy të tjerë, pas një konflikti të mëparshëm ku është përfshirë edhe një i mitur. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, në një lokal në fshatin Gomsiqe e Re, në Shkodër.
Policia bën me dije se fillimisht ka pasur një konflikt fizik mes dy personave dhe një të mituri. Pas këtij konflikti, dy personat e shpallur në kërkim kanë shkuar në lokal, ku kanë kanosur me armë zjarri dy personat e përfshirë në konflikt.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, shihet momenti kur dy persona udhëtojnë me një automjet tip “BMW X5” me targa angleze, ndalojnë para lokalit dhe më pas hyjnë brenda të armatosur. Njëri prej tyre mban një armë automatike, ndërsa tjetri një pistoletë.
Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin e panikut mes klientëve të lokalit. Në video shihet se si ata largohen me vrap nga ambienti, duke shmangur një përplasje të mundshme me armë zjarri.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa në hetim janë vënë edhe tre persona të tjerë, si dhe pronari i lokalit.
