Prej javësh tashmë, banorët e Marinëzës kanë dalë në protesta, duke kërkuar pagesën e detyrimeve për tokat që i kanë dhënë me qira kompanisë Bankers Petroleum për ushtrimin e aktivitetit të saj. Sipas banorëve, prej 9 muajsh ata nuk kanë marrë pagesat për tokat e tyre, ndërsa protesta vijon prej javësh pa një zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre.
Madje, siç deklaruam edhe mëngjesin e kësaj të enjteje, bazuar në ato që janë raportuar në media, kompania ka kërkuar të prishë kontratat ekzistuese me pronarët e tokave dhe të vijojë shfrytëzimin e tyre me një çmim rreth gjysmën e vlerës së përcaktuar më parë.
Por, ndërsa banorët vijojnë protestën dhe kërkojnë respektimin e marrëveshjeve të lidhura me kompaninë, duket se përplasjet mes tyre nuk kanë munguar as gjatë takimeve me përfaqësuesit e Bankers Petroleum.
Në një video të publikuar së fundmi nga Fieri Web, dëgjohet një debat mes protestuesve pas një takimi me përfaqësues të kompanisë, ku është diskutuar mbi kërkesat e banorëve dhe marrëdhënien kontraktuale me Bankers Petroleum.
Një prej protestuesve pretendon se gjatë takimit një përfaqësues kinez i kompanisë i ka ofruar më shumë para në këmbim të uljes së protestës, ndërkohë që ka ngritur pretendime deri në kërcënime.
Qytetari 1: Do ta prish kontratën me Bankersin, nuk e dua më.
Qytetarja: O zotëri, o zotëri, të lutem, mund ta specifikosh se kush ta tha ty që po e ule ti protestën, ai do të ta japë dy me pesë milionë?
Qytetari 2: Ishte një përfaqësues aty.
Qytetarja: Ishte një përfaqësues kinez këtu dhe të tha nëpërmjet përkthyesit? Kush ta përktheu? Je i bindur që ta përktheu saktë?
Qytetari 2: Po, atë nuk e di unë, se unë s’di kinezçe.
Qytetarja: Domethënë, ai të tha ty: ti ul protestën dhe ti do marrësh më shumë lekë nga të gjithë?
Qytetari 2: Po, po, kështu më tha. Po këta po bëjnë presion të tjerëve. Këta e dinë emrin tim, i shikojnë, gjurmojnë ku kam njerëz të afërt në punë dhe do bëjnë presion të heqin nga puna ata që janë në punë.
© Credits Fieri Web
