Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka bërë me dije hapat politikë e ligjorë që opozita po ndërmerr pas publikimit të audiopërgjimeve për skandalin e trafikut të armëve përmes kompanisë shtetërore KAYO.
Bardhi u ndal gjithashtu te hetimet e SPAK-ut ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke denoncuar vonesat e drejtësisë dhe zbatimin e dy standardeve.
Bardhi konfirmoi se opozita ka depozituar kërkesën zyrtare për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, me synim zbardhjen e lidhjeve mes kompanisë shtetërore KAYO, biznesmenit izraelit Roni Yeffet dhe fondit të buxhetit të shtetit.
“Kemi kërkuar komision hetimor për veprimin e KAYO dhe bashkëpunimin e saj me kompaninë e Ron Yeffet, financimet nga buxheti i shtetit dhe çfarë veprimtarie konkrete është kryer, duke u nisur edhe nga akuzat nga përgjimet për trafikun e armëve nga Afrika. Ne kemi vendosur si opozitë të përdorim këtë mekanizëm që kemi. Pres që mazhoranca ta respektojë Kushtetutën, ndonëse e kemi parë si standard të tyre shkeljen e saj,” deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit të PD-së paralajmëroi me reagim radikal nëse mazhoranca bllokon kërkesën kushtetuese të opozitës: “Nëse nuk miratohet komisioni, do të ketë reagime qoftë politike, edhe institucionet nga ana e PD-së dhe opozitës në tërësi, përfshirë edhe ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.”













