Përgjimi i publikuar nga ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj në emisionin Çim Peka Live, u kthye në kryeqendër të debateve në Komisionin për Nismat Qytetare dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan që institucionet përgjegjëse të japin shpjegime në komision, për atë që cilësohet si afera KAYO. Ndërsa deputetët kërkuan sqarime nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, u shpreh se më parë duhet pritur rezultati i hetimeve të SPAK.
Opozita kërkon në Kuvend që të nisë menjëherë hetimin dhe reagimin për audiopërgjimin e publikuar nga ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj në emisionin Çim Peka Live. Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deputetët e Partisë Demokratike, Ivi Kaso dhe Gjin Gjoni, kërkuan reagimin e menjëhershëm të Kuvendit. Në mungesë të një sqarimi nga ana e ekzekutivit, deputeti Kaso kërkoi që në krye të axhendës në mbikëqyrjen institucionale të vihet sqarimi mbi këto akuza për trafik armësh, ndërsa deputeti Gjoni kërkoi thirrjen për sqarim të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Më herët, opozita ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të Posaçëm Hetimor për trafikun e armëve, ku miku izraelit i Edi Ramës deklaron se është thirrur nga qeveria për të kryer punët e këqija në tregtinë e armëve.
© SYRI.net