
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të enjten më 10 shtator ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj tetë personave, të dyshuar si pjesë e një skeme mashtrimi përmes një qendre telefonike në Shqipëri, që joshte qytetarë europianë të investonin paratë e tyre në platforma të rreme financiare.
Hetimi është derivuar nga një procedim penal i nisur në vitin 2021, në kuadër të të cilit u akuzuan si organizatorë të skemës Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa. Sipas SPAK, hetimet e mëtejshme kanë identifikuar edhe 11 persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Për tre prej tyre, R.Gj., G.Sh. dhe E.P., gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa E.Gj., K.B. dhe I.G. janë lënë në “arrest në shtëpi”. Për A.Gj. dhe Dh.L. është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Gjashtë prej të dyshuarve akuzohen për veprat penale të “mashtrimit kompjuterik” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, ndërsa dy të tjerët vetëm për “mashtrim kompjuterik”. Për tre personat e tjerë të identifikuar nga hetimi, masat e sigurisë nuk janë ekzekutuar ende.
Sipas SPAK, skema funksiononte përmes kompanisë “Bluenergycall” sh.p.k., agjentët e së cilës kontaktonin shtetas gjermanë dhe qytetarë të vendeve të tjera europiane, duke i joshur të investonin në bursat ndërkombëtare përmes platformave që në të vërtetë ishin mashtruese.
Viktimat depozitonin paratë në llogari bankare në vende të ndryshme, përfshirë Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Qipron. Më pas, sipas prokurorisë, paratë humbnin gjurmët përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovaluta.
Hetuesit kanë arritur ta lidhin aktivitetin mashtrues me dy adresa IP të përdorura nga “Bluenergycall” në Shqipëri. Gjatë një kontrolli të kryer në ambientet e kompanisë në mars 2022, autoritetet sekuestruan të dhëna elektronike, të cilat më pas u analizuan në bashkëpunim me autoritetet gjermane të drejtësisë të specializuara për krimin kibernetik.
Çështja e parë e ngritur mbi këtë skemë përfundoi në Gjykatën e Posaçme në korrik 2024. Më 8 korrik të atij viti, gjykata shpalli fajtorë Erjon Kasmin, të akuzuar si organizator i skemës që u zhvati qytetarëve europianë rreth 7 milionë euro, si dhe bashkëpunëtorin e tij Xhulian Xhafa.
Ndryshe nga dy të akuzuarit kryesorë, 11 operatorët e call center-it të marrë të pandehur për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal u shpallën të pafajshëm. Gjykata vendosi gjithashtu t’i kthente Kasmit dhjetëra prona dhe llogari bankare që ishin sekuestruar nga SPAK gjatë hetimeve.






