Kroacia ka asgjësuar duke groposur 147 kuintalë, ose 14 tonë e 700 kilogramë speca të kuq me origjinë nga Fieri. Vendimi për groposjen e produktuit shqiptar erdhi si pasojë e rezultateve të analizave të cilat dëshmuan se specat e kuq kishin një ngarkesë të lartë me fungicidin proquinazid, në një nivel preh 0.050 mg/kg.
Të dhënat nga sistemi RASFF, dëshmuan se prodhimi shqiptar rezultoi i ngarkuar me lëndën aktive proquinazid, ndërkohë që për këtë substancë niveli i lejuar i pranisë në speca është zero. Kjo lëndë, bazuar në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë, tregëtohet në Shqipëri me emrin Talendo, me një vlefshmëri regjistrimi dhe tregtimi deri në fund të 2028-ës.
Burime për gazetaren Rudina Muça nga Top Channel bëjnë me dije se proquinazidi nuk është i ndaluar për t’u shitur, por përdorimi i tij në mënyrë kategorike nuk lejohet në perime. Lënda aktive proquinazid është e autorizuar për përdorim në kulturat e rrushit, për luftimin e sëmundjeve kërpudhore, veçanërisht të mykut pluhur.
Gjetja e pranisë së kësaj substance te specat e kuq ngre dyshime se fermeri shqiptar në fjalë e ka përdorur këtë preparat i cili është i destinuar për vreshtat, në kultivimin e perimeve.
Kjo nuk është hera e parë që specat e prodhuar në shqipëri përfundojnë në qendër të alarmit të autoriteteve kroate, pasi pothuajse e njëjta histori gjen përsëritje edhe në 7 shtator, kur një sasi tjetër specash me origjinë nga Shqipëria u asgjesua pasi analizat zbuluan një nivel të të lartë të pesticidit acetamiprid.
Në këtë rast ishte një fermer nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte blerë produktin në vendin tonë, dhe më pas tentoi t’i rieksportonte ato drejt Kroacisë duke mos pasur dijeni për nivelin e pesticideve në produkt, kontrollorët në Kroaci zbuluan praninë e lartë të acetamipridit në speca.
