
Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë kërkoi të enjten gjashtë vjet burg për ish-presidentin Hashim Thaçi, për akuzat për pengim të drejtësisë, vetëm pak ditë para shpalljes së vendimit në gjyqin e tij tjetër për krime lufte.
Thaçi po gjykohet së bashku me katër bashkëpandehur në çështjen për pengim të drejtësisë, për ndërhyrje te dëshmitarët në gjyqin e tij për krime lufte.
“Prokuroria kërkon që të caktoni … nëntë muaj burg për Hajredin Kuçin; tre vjet për Fadil Fazliun; tre vjet për Isni Kilajn; tre vjet për Bashkim Smakajn; dhe gjashtë vjet burg për Thaçin”, tha prokurori Joshua Hafetz gjatë deklaratave përfundimtare.
Prokuroria pretendon se Thaçi u tha katër të pandehurve të tjerë t’u jepnin udhëzime disa dëshmitarëve në çështjen e krimeve të luftës se çfarë duhej të thoshin në gjykatë. Thaçi dhe katër të pandehurit e tjerë me të i kanë mohuar akuzat.
Prokurori Hafetz theksoi se prokuroria kërkon që gjashtë vitet e burgimit për Thaçin “të vuhen njëri pas tjetrit me çdo dënim që mund të shqiptohet” në gjyqin e tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ku ai po gjykohet së bashku me tre ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK: Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Vendimi në çështjen e krimeve të luftës do të shpallet më 16 shtator. Të katër të pandehurit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Hafetz i tha gjykatës të enjten se provat për pengimin e drejtësisë përbëhen nga rreth 28 orë regjistrime të Thaçit, të bëra gjatë nëntë vizitave të veçanta përgjatë katër muajve në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
“Ajo që ishte e rëndësishme për Thaçin dhe bashkëpandehurit e tij ishte që dëshmitarët të cilët Thaçi kishte zgjedhur për ndërhyrje të thoshin dhe të bënin atë që donte Thaçi”, i tha Hafetz gjykatës.
Ai shtoi se, sa herë që Thaçi u jepte udhëzime Kuçit, Fazliut, Kilajt dhe Smakajt, “ulte zërin dhe u pëshpëriste udhëzime konkrete se çfarë duhej t’u thoshin vizitorët dëshmitarëve. Ai e bëri këtë për muaj me radhë dhe udhëzimet e tij kishin të njëjtin qëllim: zbutjen e akuzave në çështjen e krimeve të luftës”.
Prokurorja Kimberly west deklaroi gjatë fjalës përfundimtare se Thaçi, “së bashku me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces, u përpoq të pengonte drejtësinë duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap në flagrancë. Për këtë ekzistojnë orë të tëra regjistrimesh dhe dokumente që i vërtetojnë ato”.
Sipas west, udhëzimet për dëshmitarët varionin nga kërkesat për të ndryshuar dëshmitë e tyre, deri te mohimi i pranisë së Thaçit në vende ku dyshohet se janë kryer krime, në mënyrë që dëshmitë të përputheshin me “narrativën e tij”.
Prokuroria pretendoi se provat, një pjesë e të cilave u gjetën në shtëpinë e Kilajt në nëntor 2023, më pak se një muaj pasi Kryeziu dhe Kilaj u takuan me Thaçin, ishin printuar duke përdorur të vetmin printer në qendrën e paraburgimit që Thaçi kishte leje të përdorte dhe ishin diskutuar edhe gjatë vizitave në të njëjtën qendër.
Hafetz pretendoi gjithashtu se Thaçi ishte përpjekur të ndikonte te dy ish-luftëtarë të UÇK-së, Bislim Zyrapi dhe Rrustem Mustafa, të cilët po dëshmonin në gjyqin e tij për krime lufte. Dëshmitë e të dyve ishin në favor të mbrojtjes së Thaçit.
Në dëshminë e tij në vitin 2023, ish-komandanti i një zone të UÇK-së, Rrustem Mustafa, tha se vendimet operacionale merreshin nga komandantët e zonave të UÇK-së dhe jo nga Shtabi i Përgjithshëm i forcës guerile. Ai deklaroi se drejtuesit e UÇK-së, mes tyre edhe Thaçi, nuk kishin kontroll mbi luftëtarët e niveleve më të ulëta – një dëshmi që i dha më shumë peshë argumenteve të mbrojtjes.
Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dëshmoi në vitin 2024.
Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja, Zyrapi tha se Shtabi i Përgjithshëm shpesh nuk ishte në dijeni të veprimeve të luftëtarëve në zonat operacionale të UÇK-së. Ai tha gjithashtu se, pavarësisht përpjekjeve, UÇK-ja nuk kishte mundur të ushtronte kontroll të plotë mbi njësitë e saj në nivelet më të ulëta, pjesërisht për shkak të ofensivave serbe.
Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan posaçërisht për gjykimin e ish-anëtarëve të UÇK-së. Ato ndodhen në Hagë dhe funksionojnë me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë, për shkak të dyshimeve mbi aftësinë e sistemit të drejtësisë së Kosovës për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së, shumë prej të cilëve konsiderohen heronj në Kosovë. Ndërhyrja te dëshmitarët ka qenë një nga shqetësimet kryesore të Dhomave të Specializuara që prej krijimit të tyre.






