Jeta e Dhaskal Todhrit dhe Elbasani i shekujve XVIII–XIX janë në qendër të episodit të ardhshëm të “Apostrof”, me të ftuar studiuesin Yll Rugova, autor i librit “Bota e Todhrit. Elbasanasit që shkruanin ndryshe”.
I shkruar në trajtën e një mikrohistorie, libri ndjek jetën e Theodhor Haxhifilipit, mësuesit elbasanas që krijoi një alfabet origjinal për shqipen, nga i cili mbijetojnë rreth 800 faqe dorëshkrimesh. Përmes dokumenteve të kishës dhe esnafeve, Rugova rindërton edhe botën që e rrethonte: familjen, shkollimin, tregtinë dhe jetën e një qyteti të përballur me epidemi murtaje e kriza klimatike.
Në këtë fragment të shkëputur nga biseda e plotë, Rugova ndalet te lidhjet e Todhrit me Kishën Ortodokse dhe vë në diskutim paraqitjen e tij si një iluminist i hershëm i Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në konflikt me kishën.
“Nuk ka kurrfarë indicie që ky e ka ndonjë konflikt diku me Kishën”, shprehet studiuesi. Ai përmend një dokument nga Stambolli që tregon se Todhri ishte ngarkuar të mblidhte taksat e komunitetit të krishterë të Elbasanit për llogari të një patriarku. Një tjetër shënim, i vitit 1783, dëshmon se Todhri i shpjegonte fatkeqësitë e kohës me mëkatet e bashkësisë.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00.
Lini një Përgjigje