Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Audiopërgjimet e Ahmetaj në dorën e SPAK

I mori jetën 13-vjeçares shqiptare, gjykata i ul dënimin vrasësit të Aurora Tilës

I mori jetën 13-vjeçares shqiptare, gjykata i ul dënimin vrasësit të Aurora Tilës

18:11, 10/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Apelit në Bolonjë uli me dy vite burg dënimin për ish të dashurin e 13- vjeçares shqiptare Aurora Tila. 

Tragjedia ndodhi më 25 tetor 2024, në një ndërtesë në qytetin e Bolonjës. Aurora Tila, vetëm 13 vjeçe, humbi jetën pasi ra nga ballkoni i katit të shtatë të banesës ku jetonte. Në fillim, u dyshua për një aksident, por hetimet e mëvonshme zbuluan se pas vdekjes së saj qëndronte një akt dhune.

Procesi gjyqësor provoi se vajza nuk kishte humbur jetën aksidentalisht, por ishte shtyrë nga ballkoni nga djali i cili në atë kohë ishte 15 vjeç.

Ulja e dënimit nga 17 në 15 vite burg ka shkaktuar reagime të forta në Itali, ndërsa familja e vajzës shprehu hapur pakënaqësinë për vendimin e Apelit, shkruajnë mediat italiane.

Avokati Emilio Malaspina, që përfaqëson nënën e viktimës, deklaroi se familja është e zhgënjyer

“Aurora ishte 13 vjeçe, viktima më e re e femicidit në Evropë”, u shpreh avokati.

Nëna e vajzës, Morena Corbellini, reagoi ashpër pas vendimit, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen raste të tilla.

"Presim që numri i femicideve të ulet? Ato vetëm do të rriten. Edhe të miturit do të vrasin gjithnjë e më shumë, derisa vendi të ndërhyjë me forcë dhe në mënyrën e duhur”, deklaroi ajo.

Mediat italiane shkruajnë se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, përmes prokurores zëvendësuese Silvia Marzocchi, kishte kërkuar një dënim prej 15 vjetësh e 6 muajsh. Kjo duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe procedurën e shkurtuar. Sipas Prokurorisë, dënimi prej 17 vitesh i dhënë në shkallën e parë ishte llogaritur gabimisht mbi një dënim bazë prej 25 vitesh, në vend të 24 viteve. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco